Portali rus Ridus shkruan se Rusia ka humbur pozicionin si furnizuesi kryesor ushtarak i Beogradit, ndërsa Kina ka marrë vendin e saj me sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore.
Pazaret e Vuçiçit me Kinën kanë acaruar Moskën.
Media ruse Ridus ka publikuar një analizë kritike për ndryshimin e kursit të politikës ushtarake të Serbisë, duke theksuar se Beogradi po largohet gjithnjë e më shumë nga armatimet ruse dhe po mbështetet te Kina për modernizimin e forcave të armatosura.
Sipas portalit, periudha 2016–2021 ishte "epoka e artë" e bashkëpunimit ushtarako-teknik mes Rusisë dhe Serbisë. Gjatë këtyre viteve, Moska furnizoi Beogradin me avionë luftarakë MiG-29, helikopterë Mi-35M dhe Mi-17V-5, sistemet kundërajrore Pantsir-S1, tanke T-72MS dhe automjete të blinduara BRDM-2MS. Në atë periudhë, Rusia mbulonte mbi 30% të importeve serbe të armatimit.
Megjithatë, sipas Ridus, situata ndryshoi ndjeshëm pas vitit 2022. Sanksionet perëndimore ndaj industrisë ushtarake ruse vështirësuan furnizimet dhe zbatimin e kontratave, ndërsa Serbia filloi të diversifikonte burimet e saj të armatimit për të shmangur rrezikun e sanksioneve dytësore nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Artikulli thekson se Kina është bërë tashmë furnizuesi kryesor i armëve për Serbinë. Sipas të dhënave të publikuara nga media ruse, deri në vitet 2025–2026 pjesa e Rusisë në importet ushtarake serbe ka rënë në vetëm 7%, ndërsa Kina ka arritur në 61%. Në vend të dytë renditet Franca, me 12%, pas marrëveshjes për blerjen e avionëve luftarakë Rafale.
Sipas analizës, simboli i këtij ndryshimi strategjik është vendimi i presidentit Aleksandar Vuçiç për të blerë sistemin kinez të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë HQ-9. Ridus e cilëson këtë një ndryshim rrënjësor në organizimin e mbrojtjes ajrore serbe, duke theksuar se Serbia do të bëhet operatori i parë evropian i këtij sistemi modern kinez.
Media ruse vëren se Beogradi ka ndërtuar gradualisht një rrjet të mbrojtjes ajrore të bazuar pothuajse tërësisht në teknologjinë kineze. Përpara HQ-9, Serbia kishte blerë sistemet FK-3 dhe HQ-17A, si edhe dronët luftarakë CH-92A dhe CH-95.
Sipas Ridus, ky zhvillim tregon se Kina po zë vendin që Rusia kishte për dekada në furnizimin e ushtrisë serbe me sisteme moderne armatimi.
Në analizë citohet edhe media ruse Insajder, sipas së cilës Serbia është aktualisht i vetmi shtet evropian që blen armë nga Kina. Bashkëpunimi mes dy vendeve është zgjeruar edhe në stërvitjet e përbashkëta ushtarake, ndërsa tregtia dypalëshe është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Artikulli thekson gjithashtu se partnerët perëndimorë të Beogradit shohin me shqetësim zgjerimin e ndikimit kinez në Ballkan, duke ngritur pikëpyetje për transparencën e projekteve, nivelin e borxhit të Serbisë ndaj institucioneve financiare kineze dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Pekinit dhe Beogradit.
Hajde loje kurvash hajde!