Pas retorikës së ashpër dhe nervave të tendosura fshihet një strategji që synon të riformësojë NATO-n sipas interesave amerikane, duke e detyruar Evropën të përballet me faturën e sigurisë së saj...
Ka samite të NATO-s që hyjnë në histori për vendimet e tyre. Ka edhe samite që mbahen mend për humorin e liderëve. Ky i Ankarasë rrezikon të kujtohet për të dytën.
Donald Trump mbërrin në tryezën e Aleancës jo si një president që kërkon konsensus, por si një kreditor që u kërkon debitorëve të paguajnë faturën. Për të, NATO nuk është më simboli romantik i unitetit perëndimor, por një bilanc financiar ku Shtetet e Bashkuara paguajnë shumë dhe Evropa shpenzon pak.
Nëse dikur diplomatët flisnin për "vlera të përbashkëta", sot në Shtëpinë e Bardhë flitet për përqindje të PBB-së, miliarda dollarë dhe ndarje kostosh. Është një ndryshim filozofie që nuk filloi dje, por që nën administratën Trump është shndërruar në doktrinë.
Presidenti amerikan nuk duket i shqetësuar nëse deklaratat e tij krijojnë ankth në Berlin, Paris apo Bruksel. Përkundrazi, ankthi duket se është bërë instrument negocimi. Sa më e madhe pasiguria mbi angazhimin amerikan, aq më i madh presioni mbi aleatët për të hapur thesarin.
Ironia është se Evropa e dëgjoi për vite me radhë këtë paralajmërim, por preferoi ta konsideronte si retorikë elektorale. Sot, kur retorika është kthyer në politikë shtetërore, shumë kryeqytete evropiane po nxitojnë të premtojnë miliarda shtesë për mbrojtjen. Jo sepse ndryshuan papritur bindje, por sepse kuptuan se ombrella amerikane nuk është më një garanci pa kushte.
Në këtë kuptim, nervozizmi i Trump nuk është thjesht çështje temperamenti. Ai është një metodë presioni. Presidenti amerikan e ka kuptuar se aleatët reagojnë më shpejt ndaj frikës sesa ndaj fjalimeve diplomatike. Dhe deri tani, kjo strategji ka prodhuar rezultate. Vendet e NATO-s po rrisin buxhetet ushtarake me ritme që pak vite më parë do të dukeshin të pamundura.
Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes.
Një aleancë ushtarake nuk mbahet vetëm me para. Ajo mbahet mbi besimin. Dhe besimi nuk ndërtohet me kërcënime të përhershme se "Amerika mund të largohet". Çdo deklaratë që lë të kuptohet se prania amerikane në Evropë mund të reduktohet për arsye politike krijon një efekt zinxhir: aleatët fillojnë të mendojnë për alternativa, ndërsa kundërshtarët fillojnë të testojnë kufijtë e durimit perëndimor.
Për Rusinë, çdo debat publik mbi përçarjet brenda NATO-s është një fitore propagandistike. Për Kinën, është një sinjal se vëmendja strategjike amerikane po zhvendoset. Për vendet e krahut lindor të Aleancës, është një burim pasigurie në një moment kur garancitë e sigurisë kanë më shumë peshë se kurrë.
Paradoksi është se Trump nuk kërkon domosdoshmërisht dobësimin e NATO-s. Përkundrazi, ai kërkon një NATO më të fortë financiarisht, por me një Amerikë më pak të ngarkuar. Problemi është se mënyra si e komunikon këtë objektiv shpesh prodhon efektin e kundërt: më shumë dyshime sesa siguri.
Në politikën ndërkombëtare, perceptimi shpesh vlen sa realiteti. Një fjali e thënë në një konferencë shtypi mund të ketë më shumë ndikim se një batalion i dislokuar. Kur presidenti i vendit më të fuqishëm të botës shfaqet i irrituar, i paduruar dhe i gatshëm të rihapë çdo marrëveshje, nervozizmi nuk mbetet më një tipar personal. Ai kthehet në faktor gjeopolitik.
Evropa ndodhet përballë një zgjedhjeje që e ka shtyrë për dekada. Të vazhdojë të mbështetet te Amerika si garantja e përhershme e sigurisë, apo të ndërtojë një kapacitet real strategjik që nuk varet nga humori i presidentit amerikan, cilido qoftë ai.
Në fund, pyetja nuk është nëse Donald Trump është i zemëruar. Kjo është pothuajse një konstante e stilit të tij politik.
Pyetja e vërtetë është nëse Evropa ka kuptuar më në fund se arkitektura e sigurisë së pas Luftës së Ftohtë nuk mund të mbështetet pafundësisht në vullnetin politik të Uashingtonit.
Sepse nervat e tendosura të një presidenti kalojnë. Pasojat strategjike të vendimeve që ai merr, jo./Pamfleti
Lini një Përgjigje