Nga flamingot te lufta kundër korrupsionit: protesta njëmujore trondit sistemin e Ramës, Shqipëria në prag të zgjedhjeve të parakohshme...
Nuk është hera e parë që Shqipëria tronditet nga protesta historike. E para ishte në vitin 1991, kur pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës dhe vendosjes së pluralizmit, dhjetëra mijëra shqiptarë mësynë brigjet e Puljas në anije të mbingarkuara.
Më pas erdhi drama e vitit 1997, ku një agoni e madhe ekonomike, falimentimi i “firmave piramidale” të bazuara në skemën “Ponzi” çoi drejt falimentit qindra mijëra qytetarë. Kjo provokoi një kryengritje të armatosur që i kushtoi vendit mijëra të vrarë.
Qeveria socialiste e Bashkim Finos (nën presidencën e Sali Berishës) nuk mori asnjë përgjegjësi, ndërsa zgjedhjet e parakohshme u fituan nga Fatos Nano, duke i dhënë fund revoltës.
Pas dekadash rotacioni mes demokratëve dhe socialistëve në një mjedis korrupsioni, Shqipëria nisi projektin për hyrjen në Bashkimin Evropian. Ky objektiv mbetet i vështirë për shkak të korrupsionit të vazhdueshëm, mungesës së shtetit të së drejtës dhe prirjes për të ndërtuar resorte luksoze në zonat e mbrojtura - një politikë që shkel parimet e BE-së.
Indiferenca e kryeministrit Edi Rama ndaj mjedisit ka shkaktuar që në fund të majit protesta masive kundër planit të vitit 2024. Ky plan parashikon ndërtimin e vilave luksoze në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec (laguna e Nartës) nga investitori Jared Kushner, dhëndri i Trump-it.
Projekti shtrihet në qindra hektarë dhe kap vlerën e mbi pesë miliardë eurove nga “Atlantic Incubation Partners”, kompani e lidhur me “Affinity Partners” të Kushner-it. Simboli i protestës është lejleku rozë ose flamingo.
“Kjo kafshë është ndër speciet e mbrojtura në Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa, që përfshin Sazanin dhe Nartën, ku gjejnë strehë fokat murg dhe breshkat e detit”- shpjegon Giorgio Fruscione, studiues në ISPI.
“Por protesta është shumëpërmasore. Pasi përveç mjedisit, ajo konteston politikën e brendshme të Ramës dhe ka një dimension gjeopolitik, duke treguar se si administrata
Trump përdor Ballkanin për të ndërthurur diplomacinë me interesat private”- thekson ai.
Kjo situatë buron nga një model ekonomik privat i keqmenaxhuar në Shqipërinë postkomuniste, ku spikasin turizmi kaotik dhe miratimi i ligjeve speciale pa debat publik. Thelbi i përplasjes është pasuria e pafundme përballë një pabarazie rrëqethëse. Për të hedhur bazat e këtij projekti, në mars 2024 u ndryshua ligji për zonat e mbrojtura, duke prezantuar “turizmin e ekselencës” për ta bërë kuadrin ligjor më pak kufizues për ndërtuesit.
Qeveria i dha kompanisë statusin e Investitorit Strategjik përmes procedurave të përshpejtuara. Megjithatë, sipas një investigimi të BIRN, kompania zbatuese “Zvërnec South Adriatic Development” është e regjistruar në Holandë përmes një strukture trusti që fsheh përfituesit fundorë.
Për më tepër midis tyre ka të përfshirë ka individë me procedime penale apo mosmarrëveshje për pronësinë. Në projekt marrin pjesë edhe manjatë nga Katari, si vëllezërit Al-Khayyat të “Power International Holding”.
Mobilizimi i filluar për mbrojtjen e natyrës u kthye shumë shpejt në “termometrin” e pakënaqësisë së përgjithshme ndaj kryeministrit. Gentiola Madhi, studiuese pranë Observatorit të Ballkanit, deklaron se protestat nisën në maj në zonën Vjosa-Nartë, ku ekskavatorët dhe telat me gjemba u shfaqën pa asnjë transparencë.
OJQ-të lokale dhe qytetarët u ngritën kundër mega-investimit të Kushner-it, që u bë simbol i politikave të Ramës. Ligji i vitit 2024 që reduktoi kufizimet në zonat e mbrojtura u rrëzua madje edhe nga Parlamenti Evropian gjatë diskutimeve për zgjerimin e BE-së në Ballkan.
Sipas Beatrice Manaresi-t, bashkëpunëtore në “Orizzonti politici”, kundërshtimi ka të bëjë me rrezikun që zonat me vlerë të lartë publike të shndërrohen me shpejtësi në destinacione ekskluzive pa kontroll publik.
Probleme të ngjashme ka edhe në Dardhë të Librazhdit me një digë hidrocentrali që kufizon ujin. Urbanistja Doriana Musai thekson: “Qytetarët kërkojnë të marrin pjesë në vendimmarrje përpara se të zbatohet projekti”.
Kështu, protesta mjedisore u bë “fitili” i pakënaqësisë ndaj mungesës së transparencës, çmimeve qesharake të koncesioneve të tokave, cilësisë së ulët të jetesës dhe rritjes së çmimeve nga turizmi i luksit.
Arlind Qori, lideri i lëvizjes së majtë “Bashkë”, shpjegon se pikat e takimit mes mjedisorëve, liberalëve dhe konservatorëve i mbajnë njerëzit bashkë kundër oligarkisë ekonomike. Protesta mbështetet edhe nga diaspora. Sipas INSTAT, mes viteve 2021-2025 kanë emigruar rreth 130 mijë qytetarë nga një popullsi prej vetëm 2.5 milionësh.
Rama, në pushtet prej 13 vitesh, pretendoi për “Financial Times” se demonstratat ishin amplifikuar nga aktorë që lidhen me Iranin. Ndonëse Shqipëria strehon opozitarë të Teheranit dhe pësoi një sulm kibernetik në vitin 2022, është e pabesueshme që një revoltë e tillë masive të drejtohet nga jashtë.
Sipas Fruscione-s, protestat shpërthyen në prag të samitit BE-Ballkan në Tivat, ku u riafirmua e ardhmja evropiane e Shqipërisë, e cila duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin mjedisor të BE-së. Por nëse për të kënaqur familjen Trump, Rama po luan bixhoz me integrimin evropian të vendit, situata për të mund të çojë në dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme./Pamfleti nga “Terzo Giornale”
Lini një Përgjigje