Kryeministrja italiane ka zhvilluar kontakte edhe me stafin e Shtëpisë së Bardhë. Sipas burimeve, synimi është që samiti të zhvillohet me fokus teknik dhe pa përplasje politike...
Tre ditë më parë ajo kishte telefonuar Presidentin turk, jo vetëm për të folur për punimet e samitit. Si organizatore e samitit dhe vend mikpritës, Giorgia Meloni i kishte kërkuar Recep Tayyip Erdoganit që seancat të organizoheshin në mënyrën sa më teknike të mundshme. Në fund të fundit, kohëzgjatja e takimit vjetor të NATO-s është shkurtuar në minimum nga pala turke, pikërisht për të shmangur që samiti të shndërrohet edhe një herë në skenën e përplasjes mes Donald Trumpit dhe aleatëve evropianë, të cilët ai i akuzon se nuk bëjnë mjaftueshëm.
Erdogani është mik i ngushtë i Trumpit, por gëzon gjithashtu marrëdhënie shumë të mira me Giorgia Melonin. Megjithatë, nuk kaluan as 24 orë dhe banori i Shtëpisë së Bardhë publikoi edhe një tjetër sulm në rrjetet sociale, këtë herë të shoqëruar edhe me një formë të nënkuptuar denigrimi me karakter misogjin. Për të shmangur takime të sikletshme, do të nevojiten masa protokollare edhe më të rrepta se zakonisht.
Ditën e djeshme Giorgia Meloni zhvilloi një seri telefonatash të shpejta me ministrat më të afërt të saj në qeveri. Gjatë këtyre bisedave u rikonfirmua linja e shpallur prej saj pas samitit të G7: “nuk do të ketë më përgjigje”.
Hartimi i një reagimi tjetër do të nënkuptonte t'i jepte të drejtë atyre që kërkojnë vetëm përplasje. Ky qëndrim mbeti i pandryshuar edhe pasi, pak pas mesditës, Meloni mbërriti në zyrën e saj në Pallatin Chigi.
Megjithatë, Meloni ka folur edhe me figura të rëndësishme të stafit të vetë Donald Trumpit, shkruan Marco Galluzzo për Corriere.
Marrëdhënia e saj me Jared Kushnerin, bashkëshortin e Ivanka Trumpit, është sa diskrete, aq edhe e konsoliduar. Mes tyre ekziston prej kohësh një praktikë e vazhdueshme konsultimi. Duket se gjatë orëve të fundit, para ose menjëherë pas publikimit të memes seksiste që Trump i drejtoi Melonit, kontaktet mes tyre janë rinovuar. Ata kanë pasur mundësi të sqarojnë disa çështje dhe të konstatojnë se edhe brenda stafit të Shtëpisë së Bardhë ekziston irritim për deklaratën e fundit të presidentit.
Përtej shpjegimit të dinamikave dhe rindërtimit të marrëdhënies personale që duket se është dëmtuar, sipas të gjitha gjasave, Trump nuk e ka harruar videon e G7-ës ku Meloni dukej sikur po i shpjegonte diçka me gishtin tregues të drejtuar nga ai.
Presidenti amerikan kalon një pjesë të madhe të kohës duke lexuar komentet, si italiane ashtu edhe amerikane, mbi postimet që lidhen me shkëmbimet e tij të fundit me Melonin gjatë samitit të G7 në resortin e Evianit, në Francë.
Janë pikërisht këto komente që ushqejnë një përçarje me karakter personal dhe jo politik, për të cilën duket se ka shumë pak hapësirë për riparim.
Nga stafi i Trumpit ka mbërritur në qeverinë italiane edhe një detaj tjetër i rëndësishëm: çështja u bë edhe më personale në momentin kur Meloni vendosi t'i përgjigjej me një video, ku deklaronte se “italianët dhe unë vetë nuk përgjërohemi kurrë”, fjalëve tallëse që kishte marrë pas samitit të G7.
Vetë Trump është ankuar për këtë. Ai ka sulmuar shumë liderë evropianë, nga Emmanuel Macron deri te Friedrich Merz, por e ka konsideruar fyerje faktin që e vetmja që iu përgjigj publikisht ishte kryeministrja italiane.
Menjëherë pas ngjarjeve, në Pallatin Chigi, mes anëtarëve të delegacionit që do të marrë pjesë sot në samitin e NATO-s së bashku me Melonin, qarkullonte edhe ideja që kryeministrja të mungonte në një pjesë të darkës zyrtare. Të mos merrte pjesë fare ose ndoshta të mbërrinte me vonesë. Zërat janë të ndryshëm dhe, në fund të fundit, është e mundur që Meloni të vendosë vetëm në minutën e fundit.
Megjithatë, çdo ndryshim nga protokolli, qoftë në orare apo në program, do të luante në favor të presidentit amerikan. Ajo që dihet me siguri është se Meloni nuk do të ulet në të njëjtën tavolinë me Trumpin, pasi protokolli ka parashikuar shumë tavolina të ndryshme për rreth dyzet të ftuar.
“Nuk do të jetë e ftohtë, por akull”, thonë me zë të ulët njerëzit e stafit të saj. Duke njohur karakterin e Giorgia Melonit, kjo nuk është e vështirë të besohet.
Ka shumë gjasa që ajo ta shfrytëzojë samitin për t'u përqendruar te objektivat e Italisë: të sigurojë që në deklaratën përfundimtare të përfshihet qartë një qasje e NATO-s që garanton jo vetëm mbrojtjen e krahut lindor të Evropës, por edhe atij jugor, si dhe forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave strategjike të vendeve anëtare, të cilat tashmë konsiderohen asete me rëndësi të krahasueshme me ato ushtarake.
Si kundërpeshë, Italia do të paraqesë planin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto brenda tre viteve. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje