TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2026, 21:29

"Paratë e shqiptarëve nuk janë për Kanye West", Bardhi sulmon Ramën: Spitalet dhe shkollat po lihen pas dore

Shkruar nga Pamfleti
"Paratë e shqiptarëve nuk janë për Kanye West",
Bardhi-Rama

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West. Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor paratë e qytetarëve për të mbuluar dështimin e një aktiviteti privat.

Sipas Bardhit, qytetarët shqiptarë nuk duhet të mbajnë barrën financiare të një koncerti, ndërsa vendi përballet me probleme në shëndetësi, arsim dhe mirëqenie.

"Edi Rama po u kërkon shqiptarëve të paguajnë për një koncert që dështoi pasi nuk u shitën biletat dhe u bojkotua nga qytetarët. Një padrejtësi ndaj një populli që ka pagat më të ulëta në Europë dhe përballet çdo ditë me vështirësi ekonomike", tha Bardhi.

Më tej, ai u shpreh se fondet publike nuk janë pronë e qeverisë dhe se nuk mund të përdoren për financimin e aktiviteteve private. Demokrati theksoi se këto para duhet të shërbejnë për përmirësimin e kushteve në spitale, shkolla dhe për mbështetjen e qytetarëve në nevojë.

"Paratë e buxhetit janë të taksapaguesve shqiptarë dhe jo të kryeministrit. Shumë qytetarë nuk gjejnë ilaçe në spitale, shkollat kanë mungesa të shumta, ndërsa pagat, pensionet dhe ndihma ekonomike mbeten në nivele të ulëta. Është e papranueshme që fondet e shtetit të përdoren për të financuar një aktivitet privat", vijoi Bardhi.

Ai kërkoi anulimin e koncertit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e vetme që shqiptarët të mos paguajnë pasojat financiare të një eventi privat.

"Koncerti duhet të anulohet, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera europiane. Taksat e qytetarëve nuk duhet të përdoren për të mbuluar kostot e një aktiviteti privat apo për të financuar një artist që ka nxitur urrejtje", përfundoi Bardhi.

kreu i grupit parlamentar të partisë demokratike gazment bardhi rama koncert financim kanye west

Lini një Përgjigje