Kryeministri mbërriti në Samitin e NATO-s me një avion privat të kompanisë VistaJet, ndërsa në Tiranë vijojnë protestat kundër qeverisë.
Teksa Shqipëria ka hyrë në ditën e 38-të të protestave kundër korrupsionit dhe qeverisë së Edi Ramës, kryeministri ka zgjedhur të udhëtojë drejt Turqisë me një charter luksoz për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s.
Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë Ramën duke zbritur në aeroportin Esenboğa të Ankarasë nga një avion privat i kompanisë ndërkombëtare VistaJet, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Delegacioni shqiptar u prit nga ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat.

Kontrasti është i fortë. Në Tiranë, mijëra qytetarë vijojnë prej më shumë se një muaji protestat kundër korrupsionit dhe qeverisë, ndërsa kryeministri udhëton me një nga kompanitë më luksoze të aviacionit privat në botë.
VistaJet është një prej operatorëve më ekskluzivë të fluturimeve charter, i përdorur nga krerë shtetesh, miliarderë dhe drejtues të korporatave ndërkombëtare. Flota e saj përbëhet nga avionë biznesi të kategorisë së lartë Bombardier Challenger dhe Bombardier Global, ndërsa vetëm një fluturim privat në itinerarin Tiranë-Ankara kushton dhjetëra mijëra dollarë, pa përfshirë tarifat aeroportuale dhe shërbimet shtesë.

Nuk është hera e parë që mënyra e udhëtimit të Ramës ngjall debat. Për vite me radhë ai përdori avionët e Air Albania për vizitat zyrtare, në bazë të një marrëveshjeje që nuk u bë kurrë publike në detaje. Pas kolapsit të kompanisë, kryeministri është parë të përdorë charter privatë për udhëtimet ndërkombëtare.
Ironikisht, e njëjta kompani, VistaJet, u bë vitin e kaluar objekt polemikash edhe në Britaninë e Madhe. Ish-sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, u kritikua ashpër pasi fluturoi me një avion privat të kësaj kompanie drejt Shqipërisë, në një vizitë që zgjati vetëm 89 minuta për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Britani. Mediat britanike e ironizuan atë me titujt "60 mijë paund për 89 minuta", duke e cilësuar udhëtimin një shpërdorim të parave publike.

Ndërsa në Ankara Rama merr pjesë në Samitin e NATO-s dhe zhvillon takime me liderët e Aleancës, në Shqipëri vijojnë protestat që kanë hyrë në javën e gjashtë, duke e bërë udhëtimin me charter luksoz edhe një tjetër element të debatit politik. /Pamfleti




Lini një Përgjigje