TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Korrik 2026, 19:17

Infantino rrezikon shkarkimin? Trump fundos kreun e FIFA-s, Parlamenti Europian kërkon hetim për çështjen ‘Balogun’

Shkruar nga Pamfleti
Infantino rrezikon shkarkimin? Trump fundos kreun e FIFA-s, Parlamenti Europian
Gianni Infantino-Donald Trump

Një letër që po qarkullon në Parlamentin Europian kërkon nisjen e një hetimi për të përcaktuar nëse presioni nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump ndikoi në vendimin e FIFA-s për të anuluar pezullimin e sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun. Sulmuesi luajti në ndeshjen e fazës së 1/8-ave të Kupës së Botës, ku SHBA u mposht 4-1 nga Belgjika.

Sipas “Euronews”, një grup eurodeputetësh nisi të martën një iniciativë duke kërkuar hetim mbi rolin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të verifikuar nëse vendimi u ndikua nga ndërhyrje politike.

Letra, të cilën e ka siguruar “Euronews”, u drejtohet 27 federatave të futbollit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në të u kërkohet që t'i drejtohen zyrtarisht FIFA-s për të kërkuar një hetim mbi procesin e vendimmarrjes që çoi në anulimin e pezullimit të Balogun.

"Mendojmë se ka ardhur koha që federatat europiane të futbollit, të gjitha anëtare të FIFA-s, të ndërhyjnë dhe t'i kërkojnë FIFA-s të hetojë procesin e vendimmarrjes në rastin Balogun."

Eurodeputeti Barry Andrews, një nga nismëtarët e letrës, deklaroi për “Euronews” se:

"Edhe një herë pamë se Infantino dhe FIFA iu nënshtruan kërkesave të administratës Trump. Ky vendim është një turp dhe një shtrembërim i drejtësisë."

Balogun u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e SHBA-së ndaj Bosnje-Hercegovinës javën e kaluar. Sipas rregullave të FIFA-s, kartoni i kuq sjell automatikisht pezullim për një ndeshje, çka do ta linte jashtë sfidës vendimtare kundër Belgjikës.

Më pas, Donald Trump pranoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Gianni Infantinon lidhur me kartonin e kuq të Balogun, të cilin e cilësoi të padrejtë, por theksoi se nuk kishte kërkuar favore. Megjithatë, FIFA pezulloi zbatimin e dënimit duke përdorur një mekanizëm ligjor që, sipas raportimit të “Euronews”, nuk ishte përdorur më parë në një Kupë Bote që prej vendosjes së kartonëve të kuq.

Pas vendimit, Trump falënderoi publikisht Infantinon për, siç u shpreh ai, "korrigjimin e një padrejtësie të madhe". Nga ana e tij, Infantino deklaroi se gjatë telefonatës i kishte bërë të qartë presidentit amerikan se organi disiplinor i FIFA-s vepron në mënyrë të pavarur.

Vendimi shkaktoi reagime të forta në Europë.

UEFA e cilësoi atë si "të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm", ndërsa Federata Belge e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare duke vënë në dyshim të drejtën e Balogun për të luajtur në atë ndeshje.

Edhe Komisioneri Europian për Sportin, Glenn Micallef, e quajti anulimin e pezullimit një "vendim të gabuar".

William Gaillard, ish-drejtor për Komunikimin dhe Çështjet Publike në UEFA, deklaroi për emisionin “Europe Today” të “Euronews”:

"Kjo bie plotësisht ndesh me rregullat dhe statutin e FIFA-s. Është një skandal i vërtetë."

Nisma në Parlamentin Europian është ndërmarrë nga eurodeputetët Barry Andrews (Renew Europe), Lara Wolters dhe Niels Fuglsang (Socialistët dhe Demokratët). Letra po qarkullon aktualisht mes ligjvënësve për të mbledhur firmat përpara afatit të së mërkurës në orën 18:00 sipas kohës së Europës Qendrore.

Nënshkruesit kërkojnë që federatat europiane të sigurojnë mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve të lartë të FIFA-s nëse provohet se kanë shkelur rregullat mbi neutralitetin politik.

Ata rikujtojnë gjithashtu një tjetër letër, të firmosur nga 50 eurodeputetë dhe dërguar më herët FIFA-s, ku kërkohej hetim mbi vendimin për t'i akorduar Presidentit Trump Çmimin e Paqes të FIFA-s.

xhani infantino presidenti i fifa-s parlamenti europian

Lini një Përgjigje