TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2026, 19:37

Pasi premtoi "asnjë qindarkë", Rama justifikon 4 milionë euro për koncertin e Kanye West

Shkruar nga Pamfleti
Pasi premtoi "asnjë qindarkë", Rama justifikon 4
Rama justifikon milionat për koncertin

Kryeministri reagoi pas akuzave të Sali Berishës për koston e koncertit, duke mbrojtur vendimin e qeverisë për të financuar me 4 milionë euro eventin që, deri pak ditë më parë, e kishte cilësuar tërësisht privat.

Kryeministri Edi Rama ka tentuar të justifikojë vendimin e qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West, vetëm pak ditë pasi qeveria këmbëngulte se eventi nuk do t'i kushtonte asnjë qindarkë taksapaguesve shqiptarë.

Përmes një videoje të gjatë në Facebook, Rama reagoi ndaj një videoje të publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili pretendon se kostoja e koncertit arrin në 50 milionë euro.

Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë nuk u ndal te shifra e përmendur nga Berisha, por u fokusua te financimi prej 4 milionë eurosh të miratuar nga qeveria përmes një Akti Normativ.

"Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar, përveç mikpritjes, sigurinë dhe mbështetjen logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar", u shpreh Rama.

Megjithatë, ai pranoi se qeveria ndërhyri në momentet e fundit me 4 milionë euro.

"Por si i bëhet kur je i detyruar 'in extremis' të ndërhysh, siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë", deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, ndërhyrja ishte e domosdoshme për të shmangur anulimin e koncertit dhe dëmtimin e imazhit të vendit përballë dhjetëra mijëra spektatorëve që, sipas tij, kanë blerë bileta nga jashtë Shqipërisë.

Ai krahasoi gjithashtu ndikimin ekonomik të koncertit me finalen e UEFA Conference League të zhvilluar në Tiranë.

"Përfitimet nga ajo ngjarje ndërkombëtare sporti ishin të jashtëzakonshme dhe të jashtëzakonshme do të jenë edhe përfitimet nga kjo ngjarje ndërkombëtare muzike", u shpreh Rama.

Deklarata e tij vjen pasi qeveria miratoi një Akt Normativ për të akorduar rreth 400 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa më herët përfaqësues të ekzekutivit kishin deklaruar se koncerti do të organizohej nga privatët dhe nuk do të kishte financim nga buxheti i shtetit.

Vendimi ka shkaktuar debat publik, ndërsa juristë dhe ekspertë të ekonomisë kanë ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e një Akti Normativ dhe të fondit të emergjencës për financimin e një eventi muzikor.

rama koncerti west

Lini një Përgjigje