Vetëm pak orë para përballjes së shumëpritur mes Anglisë dhe Norvegjisë në çerekfinalet e Kupës së Botës, të dyja skuadrat janë përballur me probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në përgatitjet e tyre për sfidën e së shtunës, e cila do të zhvillohet në Miami.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, mesfushori i Anglisë, Deklan Rajs, është prekur nga një virus dhe është izoluar nga pjesa tjetër e grupit për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Ylli i Arsenalit ka munguar në dy stërvitje radhazi, ndërsa Federata Angleze ka marrë menjëherë masa për të shmangur një situatë më të gjerë në kampin e “Tre Luanëve”. Megjithatë, në radhët e Anglisë ka optimizëm se gjendja është nën kontroll dhe se pjesa tjetër e skuadrës nuk është prekur.
Mungesa e Rajs në çerekfinale do të ishte një goditje e madhe për trajnerin anglez, pasi mesfushori është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Për më tepër, ai ka pasur edhe më herët probleme fizike me kofshën dhe pjesën e poshtme të shpinës.
Edhe Norvegjia nuk i ka shpëtuar shqetësimeve shëndetësore. Portieri Orjan Nyland ka konfirmuar se disa futbollistë të skuadrës janë prekur nga një virus, ndërsa stafi mjekësor po punon për të menaxhuar situatën.
“Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i zënë për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.
Në kampin norvegjez, dy lojtarë kanë munguar më herët për shkak të sëmundjes. Sulmuesi Jorgen Strand Larsen nuk ishte i gatshëm për ndeshjen e parë të turneut, ndërsa Markus Holmgren Pedersen mungoi në përballjen ndaj Brazilit. Shqetësimet u shtuan edhe më shumë pasi trajneri Stale Solbaken u shfaq duke u kollitur gjatë konferencës për shtyp.
Pavarësisht problemeve jashtë fushës, të dyja kombëtaret mbeten të përqendruara te një sfidë që pritet të jetë ndër më emocionueset e fazës çerekfinale. Para betejës për një vend në gjysmëfinale, Anglia dhe Norvegjia duhet të fitojnë edhe përballjen e padukshme me virusin.
Lini një Përgjigje