Protesta paqësore nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë. Përkundrazi, dëshmon se Shqipëria ka ende qytetarë që refuzojnë të trajtohen si spektatorë në vendin e tyre...
Nga “The Guardian” te “Associated Press”, nga “Business Post” te “Die Welt”, mediat ndërkombëtare po shkruajnë për atë që tashmë njihet si “Revolucioni i Flamingove”. Një revoltë që nisi për mbrojtjen e natyrës, por që shumë shpejt u kthye në një debat shumë më të madh: kujt i përket Shqipëria, qytetarëve të saj apo një grushti politikanësh dhe investitorësh të privilegjuar?
Ndërsa gazetaria ndërkombëtare kërkon të kuptojë pse shqiptarët kanë dalë në sheshe, një pjesë e medias në Shqipëri duket se ka zgjedhur një mision tjetër: jo të hetojë pushtetin, por të hetojë protestuesin; jo të kërkojë transparencë për projektet, kontratat dhe ndryshimin e statusit të zonave të mbrojtura, por të numërojë gabimet, emocionet dhe parullat e qytetarëve.
Ky është paradoksi shqiptar: bota sheh një protestë qytetare; disa studio televizive në Tiranë shohin një shqetësim për qeverinë.
“The Guardian” e ka përshkruar lëvizjen si një përpjekje të shqiptarëve për të mbrojtur jo vetëm natyrën, por edhe të drejtat e tyre.
Associated Press ka raportuar se revolta kundër një projekti turistik të lidhur me Jared Kushnerin është zgjeruar në një lëvizje më të madhe kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies.
Media gjermane dhe amerikane kanë trajtuar konfliktin mes zhvillimit luksoz, interesit publik dhe mbrojtjes së një ekosistemi të ndjeshëm.
Pra, jashtë Shqipërisë bëhet gazetari: verifikohen interesat ekonomike, shqyrtohen pasojat mjedisore, pyeten investitorët, ndiqen procedurat dhe dëgjohen protestuesit.
Brenda Shqipërisë, në disa raste, bëhet avokati e pushtetit.
Sigurisht, media nuk është e detyruar të mbështesë çdo protestë. Gazetari nuk është aktivist me mikrofon dhe as protesta nuk është automatikisht e pagabueshme. Media duhet të denoncojë dhunën, manipulimin politik, lajmet e rreme dhe çdo shkelje të ligjit, pavarësisht se nga cila palë vijnë.
Por ekziston një vijë e qartë mes kritikës profesionale dhe propagandës.
Kur një media nuk pyet pse qytetarët protestojnë, por vetëm kush “fshihet pas tyre”; kur nuk heton vendimmarrjen publike, por merret me diskreditimin personal të protestuesve; kur e paraqet çdo revoltë si komplot të huaj, kërcënim për turizmin ose prishje të imazhit të vendit, atëherë ajo media nuk po informon. Po disiplinon publikun në emër të pushtetit.
Protesta paqësore nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë. Përkundrazi, dëshmon se Shqipëria ka ende qytetarë që refuzojnë të trajtohen si spektatorë në vendin e tyre.
Imazhin e Shqipërisë e dëmtojnë kontratat e dyshimta, mungesa e transparencës, ligjet e ndryshuara për interesa të veçanta, kapja e institucioneve dhe ideja se çdo pasuri publike mund të negociohet larg syve të publikut.
Në një demokraci normale, gazetaria qëndron mes qytetarit dhe pushtetit, duke kontrolluar më të fortin. Në Shqipëri, shumë shpesh, ajo qëndron përkrah më të fortit dhe i kërkon llogari të dobëtit.
Kjo nuk është rastësi. Reporters Without Borders vlerëson se pavarësia e medias shqiptare kërcënohet nga ndërthurja e interesave politike dhe biznesit, ndërsa Media Ownership Monitor ka konstatuar se pronarë me lidhje politike kontrollojnë pothuajse të gjithë audiencën e tregut televiziv. Vetë organizatat ndërkombëtare flasin për përqendrim pronësie, presion ekonomik dhe vetëcensurë në redaksi.
Prandaj, kur disa gazetarë dalin kundër protestave qytetare, pyetja nuk është vetëm çfarë mendojnë ata. Pyetja është: interesin e kujt po mbrojnë?
A po mbrojnë të drejtën e publikut për t’u informuar, apo kontratat e pronarëve të mediave?
A po mbrojnë zhvillimin ekonomik, apo një model ku fitimi privat paraqitet si interes kombëtar?
A po kërkojnë qetësi publike, apo heshtje qytetare?
“Revolucioni i Flamingove” ka ekspozuar më shumë sesa një konflikt mbi një resort luksoz. Ai ka ekspozuar një sistem ku pushteti politik kërkon të vendosë çfarë quhet zhvillim, biznesi kërkon të vendosë çfarë quhet interes publik dhe media kërkon t’i bindë qytetarët se kundërshtimi është turp.
Por qytetarët nuk kanë detyrimin të jenë dekor në ceremonitë e investimeve strategjike. Ata kanë të drejtë të pyesin, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari.
As emri Trump, as kapitali i huaj, as premtimi për resorte me pesë yje nuk mund të vendosen mbi ligjin, mbi natyrën dhe mbi sovranitetin demokratik të një vendi. Investimet duhet të mirëpriten kur respektojnë rregullat, interesin publik dhe komunitetet vendase; jo kur privilegji i investitorit kërkon të zëvendësojë transparencën.
Edhe protestuesit duhet t’i nënshtrohen kritikës. Edhe organizatorët duhet të japin llogari. Edhe çdo incident duhet hetuar. Por standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Nuk mund të kërkosh biografinë e çdo qytetari që ngre një pankartë dhe të mos kërkosh dokumentet e atij që merr një territor.
Nuk mund të analizosh me orë një slogan të protestuesve dhe të kalosh me dy fjali mbi një projekt miliardash.
Nuk mund të kërkosh transparencë nga rruga dhe t’i falësh errësirën zyrës së kryeministrit.
Në botë ka media konservatore, liberale, proqeveritare dhe opozitare. Ka media që kritikojnë protestat, sidomos kur ato shoqërohen me dhunë ose manipulim. Por një media serioze nuk e trajton të drejtën për protestë si sëmundje kombëtare dhe qytetarin kritik si armik të zhvillimit.
Gazetaria nuk ka detyrë të duartrokasë protestën. Ka detyrë ta raportojë, ta verifikojë dhe të hetojë shkaqet e saj.
Kur heq dorë nga kjo detyrë dhe vihet në shërbim të qeverisë, ajo mund të vazhdojë të ketë studio, kamera, logo dhe transmetim kombëtar. Por nuk është më pushteti i katërt.
Është zyra e shtypit e pushtetit të parë.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse flamingot janë kthyer në një simbol kaq të fuqishëm. Jo vetëm sepse një habitat rrezikon të mbulohet nga betoni, por sepse një shoqëri e tërë rrezikon të mbulohet nga heshtja.
Sot, bota po dëgjon zërin e qytetarëve shqiptarë.
Turpi nuk është që shqiptarët protestojnë.
Turpi është që disa media shqiptare bëjnë sikur nuk i dëgjojnë./Pamfleti
Bravo Bravo Bravo Pamfleti
BRAVO .PER ANALIZEN TE SITUATES SHQIPTARE .BRAVO PER DEMASKIMON E PUSHTETIT TE KORRUPTUARE QE KA KORRUPTUAR TE ASHTUQUAJTUR MEDIA KOMBETARE ..ATO KAN EMRIN MENDJA KOMBETARE E POR E TURPEROJN ATE EMER ..ATO JAN SERVILE DHE INTERESAXHESHKE KUNDRJET NJE PUSHTETI TE KORRUPTUARE ...NE SITUATA KRITIKE SIC NDODHET VENDI JONE QE ESHTE KAPUR PREJ FYTI NGA NJE QEVERI ANTIKOMBETARE ...DUKEN EDHE PATRIOTET DHE PUTHADORET ..BRAVO
Psh TC dhe dhe Klan janë më anti - popull të ndyra
top qenefin e ka ngritur nje qe mbulonte tregetine e droges me kafene NE KOHEN E SALIUT....dhe tjetri i KLAN vinte nga lezha me buk me vete NE TIRANE si ata katunaret e rendomte. ...from zero to hero....nga zero te heroi....nga byhlepirja e cdo lloj ngjyre politike...ky ka islamizuar bullizuar nje komb te tere me bythlepirje politike te RAMES dhe SALIUT...ska diference se jane bashke kot bejne si armiq jane bashke ne ndarje abuzimesh kombetare...
Hajde Gjergj Zefi dhe lexoje këtë shkrim para protestuesve dhe në fund nën zë do themi: bravo Ky qënka me Ne. Ndërsa sheshi do oshtijë nga kori:"Rama në burg-Berisha në burg. Ore vetëm të dorëhiqet Rama tha një protestues. Në burg këtyre ju shkojnë dashnoret për 'vizita'. Me kushte jetese si sheikët arab .Me shërbim shëndetësor ekstra. Ke par ti tha që të shkosh në burg tullac dhe të kthehesh kaçurels?
Po kjo Grida Duma cfare qendrimesh ka per zhvillimet aktuale? Pse nuk e thone se cilat media e gazetare jane pa personalitet, dinjitet e nuk thone nje te vertete?
zoti ZEFI keni ven doren mbi plage.........................As emri Trump, as kapitali i huaj, as premtimi për resorte me pesë yje nuk mund të vendosen mbi ligjin, mbi natyrën dhe mbi sovranitetin demokratik të një vendi. Investimet duhet të mirëpriten kur respektojnë rregullat, interesin publik dhe komunitetet vendase; jo kur privilegji i investitorit kërkon të zëvendësojë transparencën.
Klan dhe TCH jane ne anen e qeverise sepse jane spurdhjak dhe mund te ndodh qe nuk paguajne asnje takse
Jeni media me e besueshme se i bini krejteve bravo qe jeni ne anen e protestuese do shperbleheni me respekt