TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Korrik 2026, 10:05

Rama bën mirë të ndalet përpara se të gëlltitet nga gropa që po gërmon vetë!

Shkruar nga Vincent Boland

 Rama bën mirë të ndalet përpara se të gëlltitet

Projekti prej 4 miliardë dollarësh i Ivanka Trump-it dhe Jared Kushner-it në Sazan e Zvërnec ka ndezur revoltën më të madhe popullore prej vitesh në Shqipëri. Ky reagim i ashpër mjedisor dhe qytetar, i pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”, po vë në shënjestër të ardhmen politike të Edi Ramës...

Rama bën mirë të ndalet përpara se të gëlltitet
Vincent Boland /

Në adoleshencë ai ishte lojtar basketbolli. Këtë e tregon më së miri shtati i tij prej gati dy metrash. Ai është gjithashtu një artist që ka hapur ekspozita jashtë vendit dhe ish-kryetar i bashkisë së Tiranës. Në atë kohë e shndërroi kryeqytetin nga një qytet gri komunist në një metropol modern, thjesht duke lyer pallatet me ngjyra dhe duke mbjellë pemë.

Sot, Edi Rama është një nga politikanët më jetëgjatë në Evropë, duke udhëhequr Shqipërinë prej 13 vitesh. Që nga viti 2013, ai ka çuar Partinë Socialiste në katër fitore radhazi, më e fundit në majin e vitit të kaluar. Ai njihej deri dje si reformator, gëzonte imazhin e një modernizuesi dhe flet të paktën katër gjuhë të huaja.

Megjithatë, ky gjigant 62-vjeçar nga Ballkani po bie në një gropë që po e gërmon vetë. Prej javësh, mijëra protestues, përfshirë edhe emigrantë shqiptarë, po mblidhen në Tiranë dhe qytete të tjera. Në shënjestër të tyre është Rama dhe politikanë të tjerë.

Protestat në Shqipëri janë të shpeshta dhe zakonisht nuk ndryshojnë asgjë, por kjo e tanishmja mund të jetë ndryshe. Shkak për këtë revoltë popullore - më e madhja në vend prej vitesh - është një projekt shumë i diskutueshëm.

Fjala është për një investim 4 miliardë dollarësh për hotele dhe resorte luksoze në bregdetin e Adriatikut. Kundërshtarët thonë se ky projekt do të shkatërrojë një rezervat natyror të paprekur. Sipas tyre, ky është një dorëzim i pasurisë kombëtare te biznesmenë spekulantë dhe nuk do t’u shërbejë aspak shqiptarëve të thjeshtë.

Ky reagim i ashpër bart dy arsye kryesore. E para lidhet me mjedisin. Projekti prek një zonë bregdetare që është habitat për flamingot dhe shpendë të tjerë të rrallë. Arsyeja e dytë është politike dhe lidhet me emrat e investitorëve: Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit amerikan, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner.

Protestuesit, mes të cilëve ka edhe aktivistë mjedisorë nga Evropa, kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Ata duan që makineritë e rënda të largohen nga fshati Zvërnec, nga laguna e tij dhe nga ishulli i Sazanit.

Gjithashtu, ata kërkojnë llogari se si u lejua një projekt kaq gjigant në një zonë kaq delikate pa asnjë konsultim me publikun. Përgjigjja e Ramës ishte e vrazhdë dhe pa asnjë diplomaci. Në një intervistë për Financial Times pak javë më parë, ai shpërtheu ndaj protestuesve.

Kur u pyet për kërkesat e tyre për dorëheqje, ai u përgjigj me një sharje të rëndë. Më pas, ai akuzoi “agjitatorët e huaj” për nxitjen e njerëzve dhe këmbënguli se ky investim do të jetë i mirë për ekonominë dhe mjedisin.

Shqipëria mbetet një vend i varfër, e prekur rëndë nga emigracioni masiv, krimi i organizuar dhe zakonet e vjetra tradicionale. Megjithatë, siç e tregojnë edhe këto protesta, ajo ka një demokraci të gjallë.

Rama ka meritat e veta për këtë, edhe pse pjesëmarrja në votime vitin e kaluar ra nën 50 për qind. Por pas 16 vitesh në pushtet, kryeministri duket se ka rënë pre e arrogancës dhe vetëbesimit të tepruar. Ai është adhurues i Donald Trump-it, por kjo qasje nuk pëlqehet nga rinia moderne shqiptare, një tendencë kjo që po përhapet në mbarë Evropën.

Duke mbështetur një projekt që ka revoltuar qytetarët, ai po luan bixhoz me të ardhmen e tij politike. Kryeministri mund të ketë të drejtë kur thotë se investimi do të ndihmojë ekonominë. Për shkak të përmasave të tij, kjo është e pashmangshme.

Ndërtimi dhe turizmi do të hapnin vende të reja pune. Vendet në zhvillim si Shqipëria shpesh tërheqin investime të tilla spekulative, sidomos kur kanë një bregdet të bukur dhe me diell. Megjithatë, kjo qasje na zbulon diçka tjetër.

Plani grotesk që administrata Trump prezantoi vitin e kaluar për rindërtimin e Gazës - me kulla xhami dhe bulevarde të bukura atje ku sot ka vetëm gërmadha e vdekje - tregon mendësinë e tyre. Në botën e Trump-it, vajzës dhe dhëndrit të tij, çdo gjë shihet thjesht si biznes pasurish të paluajtshme.

Rama, i cili njihet për dobësinë që ka ndaj njerëzve të pasur, duket se e ka përqafuar plotësisht këtë ide. E megjithatë, përfshirja e Kushner-ëve në këtë aferë ballkanike e ka një nuancë neokoloniale.

Ivanka Trump pretendon se e “zbuloi” Sazanin teksa lundronte me jaht pak vite më parë, sikur askush të mos kishte shkelur kurrë atje. Por, ai ishull nuk është aspak një parajsë e virgjër. Sazani ka një sipërfaqe prej vetëm 6 kilometrash katrorë, por bart një rëndësi të madhe strategjike.

I pushtuar për shekuj me radhë, ai shërbeu si bazë e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas, Shqipëria mori sovranitetin dhe gjatë Luftës së Ftohtë e ktheu në një bazë ushtarake të fortifikuar. Siç raporton New York Times, ishulli është i mbushur me bunkerë të braktisur dhe gjarpërinj helmues.

Një vend “ideal” për pushime! Por asgjë nga këto nuk i ndal miliarderët si Kushner dhe partnerët e tyre. Plani i tyre është të ndërtojnë një kompleks ekskluziv për njerëzit super të pasur - një lloj “Mar-a-Lago” në Adriatik, sikur ky rajon të kishte nevojë për një tjetër vend të tillë.

Në këtë projekt janë të përfshirë edhe një kompani shqiptare infrastrukture dhe një fond investimesh nga Katari. Sidoqoftë, Kushner-ët janë motori kryesor dhe janë të vendosur të shkojnë deri në fund.

Dëshmitarët tregojnë se ata e kanë vizituar zonën të shoqëruar nga autokolona të gjata me makina luksoze SUV - mjeti i preferuar i elitës së pasur, pas avionëve privatë. Mbase çifti amerikan mendon se po ndihmon në ndërtimin e shtetit shqiptar, por ky është thjesht një iluzion.

Ajo që po e ndërton vërtet Shqipërinë sot është pikërisht revolta popullore që po kundërshton këtë projekt. Kjo lëvizje tashmë ka marrë emrin “Revolucioni i Flamingove”, duke ndjekur shembullin e revolucioneve me ngjyra që përfshinë Evropën Lindore vite më parë.

Nëse protestuesit ia dalin mbanë, kjo do të jetë një fitore e madhe për shoqërinë civile dhe një moment llogaridhënieje për Edi Ramën. Ky i fundit bën mirë të ndalet përpara se të gëlltitet nga gropa që po gërmon vetë!/Pamfleti nga “Business Post”

 

edi rama bën mirë të ndalet gropa që po gërmon vetë vincent boland

2 Komente

  1. g
    gazetari

    nuk di ku e ka pare piktorin ky zotnia, por bojaxhiun e pallateve , po Me pak leke kur vjedh me thase, nuk eshte problem te lyej ca pallate.

    1. F
      Feti Dema

      Adhurues i Donald Tramp jam unë. Edi Rama për të hedhur lumin vihet në rolin e buthlëpirësit por as këtë shans nuk ja jep Donald Tramp. Ti je një adhurues i Edi Ramës.

      Lini një Përgjigje