Një gjykatë në Kolumbi ka urdhëruar sekuestrimin e një vile që i përket ish-portierit të kombëtares, Rene Higuita, në kuadër të një hetimi mbi origjinën e pronës.
Sipas vendimit të gjykatës, vila dyshohet se ishte blerë fillimisht me para të përfituara nga aktivitetet kriminale të kartelit të drogës të drejtuar nga Pablo Eskobar, përpara se të kalonte në pronësi të Higuitës në vitin 1992.
Ish-portieri, i njohur me nofkën "El Loko", është pjesë e një hetimi të nisur nga Prokuroria që në vitin 2014 për të verifikuar origjinën e një banese të blerë në lagjen elitare El Poblado, në Medellín. Ky qytet është vendlindja e Higuitës, tashmë 59 vjeç, por njëherazi edhe ish-qendra e operacioneve të kartelit të Eskobarit, i cili u vra nga policia kolumbiane në vitin 1993.
Pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Medellín, e cila konfirmoi konfiskimin e pronës, Higuita deklaroi publikisht se do ta ankimojë vendimin.
Ish-portieri i Atletiko Nacional ka këmbëngulur se shtëpinë e ka blerë në mënyrë të ligjshme gjatë viteve 1990, me fondet e tij, duke mohuar çdo lidhje apo përfshirje me organizatat e trafikut të drogës.
Lini një Përgjigje