TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Korrik 2026, 13:43

Corinna Schumacher rrëfen jetën pas aksidentit të Michael: Më mungon çdo ditë, por ai është ende këtu

Shkruar nga Pamfleti
Corinna Schumacher rrëfen jetën pas aksidentit të Michael:
Corinna Schumacher rrëfen jetën pas aksidentit të Michael

Familja e Michael Schumacher vijon të mbrojë me përkushtim privatësinë e legjendës së Formula 1, megjithatë deklaratat e fundit të bashkëshortes së tij, Corinna Schumacher, kanë hedhur dritë mbi jetën e tyre pas aksidentit tragjik që ndryshoi rrjedhën e gjithçkaje.

Në dokumentarin kushtuar shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Corinna ka folur për sfidat me të cilat është përballur familja që prej 29 dhjetorit 2013, kur Schumacher pësoi një aksident të rëndë gjatë një zbritjeje me ski në Alpet franceze.

“Thjesht ishte fat i keq. I gjithë fati i keq që një person mund të ketë në jetë”, është shprehur Corinna duke kujtuar momentin që ndryshoi përgjithmonë jetën e familjes së saj.

Ajo tregoi se mungesa e Michael ndihet çdo ditë, por theksoi se prania e tij vazhdon të jetë një mbështetje e rëndësishme për të gjithë familjen.

“Më mungon Michael çdo ditë. Por nuk jam vetëm unë. Fëmijëve tanë, familjes sonë dhe babait të tij u mungon gjithashtu. E megjithatë Michael është këtu. Ai është ndryshe, por është këtu. Dhe kjo na jep forcë”, tha ajo.

Dokumentari sjell edhe momente nga jeta personale e ish-pilotit të Ferrarit dhe Mercedesit, duke zbuluar një anë të tij që publiku rrallë e ka njohur, larg figurës së pilotit të përqendruar dhe të rezervuar që shfaqej në pistë.

Corinna kujtoi se Michael ishte një njeri me shumë humor dhe tepër i dashur në jetën e përditshme.

“Në festa, ai ishte gjithmonë i pari që vinte dhe i fundit që largohej. Ne qeshnim shumë. Ai nuk kishte zë për të kënduar, por gjithmonë këndonte ‘My Way’, sepse i dinte të gjitha fjalët”, kujtoi ajo.

Pavarësisht interesit të vazhdueshëm të publikut, familja Schumacher ka zgjedhur të ruajë heshtjen për gjendjen shëndetësore të ish-kampionit që nga aksidenti i vitit 2013.

Gjatë viteve janë publikuar vetëm raportime dhe spekulime të pakonfirmuara, ndërsa informacionet zyrtare kanë qenë të pakta.

Ajo që dihet është se Michael Schumacher vazhdon të marrë kujdes të specializuar dhe terapi fizike. Sipas raportimeve të publikuara ndër vite, ai merr frymë vetë dhe ndjek trajtime të vazhdueshme rehabilitimi, ndërsa familja vijon të kërkojë respektimin e privatësisë së tij.

Lini një Përgjigje