TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Korrik 2026, 22:13

Kristjan Asllani drejt largimit përfundimtar nga Interi, sirena arabe për mesfushorin shqiptar

Shkruar nga Pamfleti
Kristjan Asllani drejt largimit përfundimtar nga Interi, sirena arabe
Kristjan Asllani

E ardhmja e Kristjan Asllanit duket gjithnjë e më larg Interit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk bën pjesë në planet e trajnerit Kristian Kivu për sezonin e ri dhe drejtuesit zikaltër kanë nisur punën për t'i gjetur një destinacion të ri gjatë kësaj merkatoje verore.

Interi synon të mbyllë sa më shpejt largimin e 24-vjeçarit, pasi është i përqendruar në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Krahas afrimeve, klubi dëshiron të sistemojë edhe futbollistët që nuk konsiderohen pjesë e projektit, ndërsa kartoni i Asllanit vlerësohet mes 12 dhe 15 milionë eurove.

Interi kërkon shitje përfundimtare

Sipas mediave italiane, drejtuesit zikaltër i kanë dhënë dritën jeshile Asllanit për të gjetur një skuadër të re. Bashkë me Benxhamin Pavard, shqiptari është autorizuar të shqyrtojë ofertat që do të mbërrijnë, ndërsa drejtori sportiv Piero Ausilio i ka besuar agjentit Federiko Pastorelo detyrën për të sjellë propozime konkrete.

Objektivi i Interit është një shitje përfundimtare, që do t'i sigurojë klubit të ardhura për të financuar lëvizjet e tjera në merkato. Megjithatë, deri në gjetjen e ekipit të ri, Asllani do t'i bashkohet grupit të Kivu për fazën përgatitore verore.

Kaljari rikthehet në garë

Një nga klubet më të interesuara për mesfushorin shqiptar është Kaljari. Skuadra sarde ka arkëtuar rreth 12 milionë euro, plus 2 milionë euro bonuse, nga shitja e Xhanluka Gaetanos tek Atalanta dhe tashmë kërkon një zëvendësues në mesfushë.

Asllani është një profil që vlerësohet shumë nga drejtuesit e Kaljarit, të cilët besojnë se ai mund t'i japë më shumë ekuilibër dhe cilësi skuadrës. Shuma që kërkon Interi është e ngjashme me të ardhurat e përfituara nga transferimi i Gaetanos, edhe pse klubi sard synon të negociojë për të ulur disi çmimin.

Arabia Saudite mbetet alternativë

Përveç interesit nga Seria A, edhe klubet e Arabisë Saudite vijojnë të ndjekin situatën e Asllanit. Sipas raportimeve, skuadrat saudite janë të gatshme të plotësojnë si kërkesën ekonomike të Interit për kartonin, ashtu edhe pritshmëritë financiare të futbollistit.

Në këtë moment, Interi mbetet i hapur ndaj çdo oferte të leverdishme, qoftë nga Italia apo jashtë saj. Vendimi përfundimtar për të ardhmen e mesfushorit shqiptar pritet të merret në javët e ardhshme, ndërsa gjithçka lë të kuptohet se aventura katërvjeçare e Kristjan Asllanit me fanellën zikaltër është drejt fundit.

kristjan asllani mesfushori shqiptar arabia saudite

Lini një Përgjigje