TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Korrik 2026, 18:16

Rezoluta e Parlamentit Evropian kundër Serbisë/ Irritohet Daçiç, sulmon vendet e BE-së për njohjen e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Rezoluta e Parlamentit Evropian kundër Serbisë/ Irritohet
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka hedhur akuza ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që kanë mbështetur rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian për Serbinë, duke pretenduar se ato kanë “shkelur integritetin territorial të Serbisë” përmes njohjes së Kosovës.

Komentet e tij erdhën pasi Parlamenti Evropian shprehu shqetësim për aktivitetet e Serbisë që, sipas rezolutës, minojnë sovranitetin e vendeve fqinje.

Daçiç deklaroi se Serbia “nuk ka shkelur kurrë integritetin territorial të asnjë vendi”, ndërsa akuzoi shtetet që kanë njohur Kosovën se kanë cenuar territorin e Serbisë. Megjithatë, këto pretendime bien ndesh me realitetin juridik dhe politik që ekziston prej më shumë se 18 vitesh.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe deri më sot është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj këshillimor të vitit 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Pavarësisht kësaj, Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të saj dhe e kundërshton njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së saj.

Në deklaratën e tij, Daçiç shkoi edhe më tej duke kërkuar që Bashkimi Evropian, para se të kritikojë Serbinë, të “dënojë njohjen e Kosovës”, duke përsëritur pretendimin se Kosova “nuk do të jetë kurrë anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

Ai gjithashtu kritikoi procesin e integrimit evropian, duke pretenduar se kriteret ndaj Serbisë janë politike dhe jo të bazuara në standarde objektive.

Lini një Përgjigje