Franca vazhdon të konfirmojë statusin e saj si favoritja kryesore për fitimin e Kupës së Botës. "Gjelat" kanë dominuar deri tani turneun, duke fituar ndeshjet dhe duke shfaqur një nivel të lartë loje.
Një nga protagonistët absolutë të kësaj ecurie është Kilian Mbape. Sulmuesi francez ka realizuar 8 gola dhe ka dhuruar 3 asistime, duke qenë lideri i repartit ofensiv. Me këtë arritje, ai është bërë futbollisti i parë në histori që shënon të paktën tetë gola në dy edicione të ndryshme të Kupës së Botës, ndërsa në të kaluarën ka ngritur edhe trofeun botëror me Francën.
Megjithatë, pavarësisht formës së shkëlqyer të skuadrës dhe faktit që shumë e konsiderojnë këtë Francë si më të fortën e viteve të fundit, Mbape mbetet me këmbë në tokë. Ai theksoi se nuk ka rëndësi se cili do të jetë kundërshtari në gjysmëfinale dhe se skuadra duhet të fokusohet vetëm te loja e saj.
"Nuk më shqetëson kush është kundërshtari. Nëse është Belgjika, atëherë është Belgjika, dhe nëse është Spanja, atëherë është Spanja. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Është një gjysmëfinale dhe gjithmonë do të jetë një ndeshje e vështirë.
Sigurisht që ndihem mirë me Francën. Është një ekip dhe një grup që e dua shumë. Kam shumë shokë në këtë skuadër, me të cilët luaj prej vitesh, por ka edhe futbollistë të rinj që tashmë më shohin si një nga lojtarët me më shumë eksperiencë.
Duhet të jem shembull për ekipin, sidomos në aspektin emocional. Në fushë bëhet fjalë për futboll, por përvoja në momente të tilla ka shumë rëndësi. Unë kam luajtur më shumë ndeshje në Kupën e Botës se pjesa më e madhe e shokëve të mi dhe e di se çfarë do të thotë të garosh në këtë kompeticion. Është detyra ime t'ua transmetoj këtë përvojë."
I pyetur nëse kjo është Franca më e fortë e të gjitha kohërave, Mbape dha një përgjigje të qartë:
"Jo, nuk është më e forta. Unë kam qenë kampion bote dhe nënkampion bote. Kjo skuadër nuk ka qenë ende as kampione dhe as nënkampione. Është ndoshta skuadra me potencialin më të madh, ajo me të cilën mund të planifikosh më lehtë të ardhmen dhe të ëndërrosh suksesin.
Kemi shumë cilësi, por ekipet e mëdha janë ato që fitojnë trofe. Për momentin nuk shoh asnjë trofe të artë pranë meje. Duhet të fitojmë që të mund të quhemi ekipi më i mirë në histori", deklaroi Mbape.
Lini një Përgjigje