Federata Shqiptare e Futbollit do të hedhë të hënën, më 13 korrik, shortin e edicionit të 88-të të Kategorisë Superiore. Ceremonia do të zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, duke përcaktuar kalendarin e sezonit të ri të elitës së futbollit shqiptar.
Sezoni 2026-2027 është planifikuar të nisë më 22 gusht dhe do të mbyllet më 9 maj 2027. Edhe këtë edicion, Kategoria Superiore do të përbëhet nga 10 skuadra: Egnatia, Elbasani, Vllaznia, Dinamo Siti, Partizani, Tirana, Vora, Teuta, Laçi dhe Skënderbeu. Dy ekipet e fundit bien automatikisht nga kategoria.
Risia kryesore e këtij sezoni është ndryshimi i formatit të kampionatit. Federata ka vendosur të heqë sistemin “Final Four”, duke rikthyer një skemë të re të garës.
Sezoni i rregullt do të zhvillohet në tre faza, me gjithsej 27 javë. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe.
Grupi i parë do të përfshijë gjashtë skuadrat e renditura më lart, të cilat do të luajnë 10 ndeshje mes tyre, me sistem vajtje-ardhje, për të përcaktuar ekipin kampion.
Ndërkohë, katër skuadrat e fundit do të formojnë grupin e mbijetesës, ku do të zhvillojnë nëntë ndeshje me sistem vajtje–ardhje–vajtje për të siguruar qëndrimin në elitë.
FSHF ka bërë të ditur gjithashtu se nga sezoni 2027-2028, Kategoria Superiore do të zgjerohet në 12 skuadra.
Lini një Përgjigje