Shqipëria si laborator arkitekture…
Ndërsa sheshet shqiptare janë mbushur me ngjyrën rozë dhe prej më shumë se një muaji janë përfshirë nga një protestë popullore spontane dhe e pandalshme, (një mobilizim kolektiv i paprecedentë në tridhjetë vitet e fundit), brenda institucioneve zhvillohet një narrativë krejt e kundërt, e bazuar në vetëlavdërim.
Ky paradoks u materializua më 3 qershor në Tiranë, gjatë inaugurimit të edicionit të dytë të festivalit të arkitekturës Bread and Heart, me prezantimin e vëllimit The Albanian Files (Lars Müller Publishers, nën kujdesin e Anneke Abhelakh). Tetëqind faqe, 523 projekte arkitekturore, gjashtëdhjetë studio ndërkombëtare të përfshira: shifrat e katalogut tregojnë një transformim të paprecedentë. Miliona metra katrorë po riformësojnë territorin shqiptar, nga veriu në jug. Megjithatë, ky botim monumental paraqet vetëm majën e ajsbergut: ndërhyrjet e padokumentuara janë shumë më të shumta se ato të përfshira në vëllim, duke përshkruar një metamorfozë territoriale edhe më të gjerë.
Në një intervistë të fundit për Financial Times, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë me indinjatë akuzat se është “kumbari” me kontroll absolut mbi vendin, duke ftuar këdo që të sjellë prova. E pra, ajo provë duket se gjendet pikërisht në faqet e The Albanian Files. Një vëllim që në pamje të parë i kushtohet arkitekturës përfundon duke u shndërruar në manifestin e një modeli politik, ku kryeministri shfaqet si regjisori kryesor i transformimit urban të Shqipërisë. Historia na mëson se arkitektura ka qenë gjithmonë një nga instrumentet më të privilegjuara të pushtetit. Qytetet nuk janë vetëm hapësirë: ato formësojnë identitetin dhe kulturën e një populli. Rasti shqiptar e përditëson këtë koncept, duke e kthyer të gjithë vendin në një laborator eksperimentimi të besuar emrave më të mëdhenj të arkitekturës ndërkombëtare. Vetë kuratorja Anneke Abhelakh e pranon, që në faqet e para të vëllimit, se është e pamundur «të ndash arkitekturën nga pushteti» në kontekstin shqiptar. Duke cituar The Edifice Complex të Deyan Sudjic, ajo kujton se ndërtesat shërbejnë për të lënë mbresa, për të përfaqësuar ambicien e atyre që qeverisin dhe se vendimet që po riformësojnë vendin udhëhiqen «në mënyrë të pamohueshme nga oportunizmi».
Shumë yje të arkitekturës, asnjë konkurs
Arkitektura nuk bëhet vetëm një instrument i transformimit urban, por emrat e arkitektëve të njohur ndërkombëtarë shërbejnë edhe si kartëvizitë. Prestigji kulturor i arkitekturës bashkëkohore përdoret për të ndërtuar narrativën e një Shqipërie moderne, të hapur dhe dinamike, ndërsa në planin e brendshëm shtohet konflikti mbi mënyrën se si po realizohet ky transformim. Në faqet e The Albanian Files, marrëdhënia mes pushtetit politik dhe arkitekturës del qartë nga dëshmitë e vetë projektuesve. Shumë prej tyre tregojnë se nuk kanë ardhur në Shqipëri përmes konkurseve publike, thirrjeve për aplikim apo procedurave transparente, por falë kontakteve personale me Kryeministrin. Disa rrëfejnë se kanë marrë një mesazh në Instagram drejtpërdrejt nga Rama dhe më pas kanë fituar porosinë për një vepër publike me vlerë katër milionë euro; të tjerë kujtojnë një telefonatë personale nga “Edi” pas një shkëmbimi të thjeshtë kontaktesh; madje edhe një fitues i Çmimit Pritzker përshkruan të njëjtën dinamikë. Planifikimi urban duket kështu se zhvendoset nga dimensioni demokratik në atë privat, duke zëvendësuar instrumentet e transparencës administrative me marrëdhënie personale. Emblematike është edhe letra që një partner i studios OMA i dërgoi Kryeministrit, ku, duke e falënderuar për kushtet veçanërisht të favorshme të ofruara për projektuesit ndërkombëtarë, arrinte në mënyrë provokuese të shprehte dëshirën për anulimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe vendosjen e një presidencë të përjetshme. Rama më pas e minimizoi tekstin, duke e cilësuar si një provokim satirik. Megjithatë, në kontekstin e përgjithshëm të paraqitur në vëllim, episodi merr një kuptim të zymtë.
Pasoja më e dukshme e këtij modeli “ndërkombëtar” është përjashtimi pothuajse i plotë i arkitektëve shqiptarë. Në 523 projektet e përfshira në vëllim nuk figuron asnjë autor vendas. Në parathënie, Rama e përkufizon Shqipërinë si «shkolla më e madhe e arkitekturës në natyrë», duke argumentuar se profesionistët e rinj vendas mund të mësojnë duke punuar përkrah studiove të mëdha të huaja. Por në arkitekturë, të mësuarit nuk mund të zëvendësojë autorësinë. Ta kufizosh një brez të tërë në rolin e bashkëpunëtorëve të arkitektëve të njohur do të thotë t’i mohosh vendit mundësinë për të zhvilluar një kulturë të vetën projektimi. Rreziku konkret është shndërrimi i territorit tonë në një atlas të “qyteteve të padukshme” dhe skenografive urbane të përbëra nga imazhe abstrakte, forma të zbrazëta dhe sugjerime estetike të lustruara, të vendosura në kontekstin shqiptar.
The Albanian Files dokumenton një gjeografi të qartë të investimeve, një zgjerim të orientuar pothuajse tërësisht drejt kullave shumëfunksionale, komplekseve rezidenciale luksoze dhe resorteve turistike, ndërsa ndërhyrjet për hapësirat publike dhe infrastrukturën sociale mbeten në plan të dytë. Ndërsa katalogu kremton komplekse rezidenciale ekskluzive dhe horizonte të reja urbane, Shqipëria vazhdon të vuajë nga mungesa kronike e programeve të banesave sociale, infrastruktura e pamjaftueshme dhe shërbime thelbësore ende të paarritshme në shumë zona të vendit. Lagje pa standardet minimale urbanistike, territore të izoluara nga lidhje të papërshtatshme dhe banesa pa shërbimet bazë bashkëjetojnë me ndërtimin e perlave të reja të destinuara për tregun e pasurive të paluajtshme luksoze. Është e vështirë të argumentohet se kjo përbën prioritetin e një vendi që ende përballet me dobësi të thella infrastrukturore. Në shumë raste, për më tepër, identiteti i porositësve nuk përmendet nga studiot e arkitekturës, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinën e kapitaleve dhe transparencën e këtyre operacioneve imobiliare.
Nga zonat natyrore të mbrojtura në parcela ndërtimi
Në realizimin e këtij transformimi ka kontribuar edhe një rishikim i thellë i kuadrit ligjor. Ligji i ri për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024), i cili sot kundërshtohet nga protestat popullore, i lejon Këshillit të Ministrave të autorizojë ndërhyrje turistike brenda parqeve kombëtare dhe zonave bregdetare që më parë gëzonin mbrojtje. Atij i shtohet edhe Ligji nr. 55/2015 për Investimet Strategjike, i cili parashikon procedura të përshpejtuara, shkurton ndjeshëm afatet e autorizimit dhe madje lejon edhe shpronësime për interes publik në favor të subjekteve private. Pikërisht falë këtyre ndryshimeve ligjore, zona si Laguna e Nartës ose territori i Zvërnecit mund të humbasin statusin e tyre të mbrojtur dhe t’u ofrohen si parcela ndërtimi kapitaleve të mëdha ndërkombëtare. Shembulli më i debatueshëm është mega-projekti me vlerë miliarda euro i promovuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilët synojnë të ndërtojnë resorte luksoze dhe mijëra njësi banimi pikërisht përgjatë këtyre ekosistemeve të brishta. Nuk është rastësi që simbol i protestës masive popullore është bërë flamingoja, shpendi i mbrojtur që banon në lagunë dhe që sot mishëron rezistencën ndaj avancimit të spekulimit. Kudo shfaqet e njëjta logjikë: zhvillimi i pasurive të paluajtshme mbizotëron sistematikisht mbi mbrojtjen e peizazhit, biodiversitetit dhe interesave të komunitetit.
Problemi, në fakt, nuk është cilësia e ndërtesave të veçanta. Shumë prej projekteve të përfshira në vëllim mbajnë firmën e disa prej studiove më të mira të arkitekturës në botë dhe, të marra veçmas, mund të kenë një vlerë të padiskutueshme arkitekturore. Por një qytet nuk është thjesht shuma e ndërtesave ikonike. Urbanistika përfaqëson një dialog mes peizazhit, shërbimeve, hapësirave publike, mjedisit dhe nevojave kolektive. Kur ky ekuilibër prishet, edhe arkitektura më e mirë bëhet pjesë e problemit. Slogani i famshëm “less is more”, në Shqipëri shndërrohet në një “more is more” të ngathët, duke rrezikuar ta kthejë ekselencën arkitekturore, të thirrur nga Kryeministri, në një petk elegant pas të cilit fshihen pabarazi të thella territoriale.
Një energji e re
Në këtë kontekst duhet lexuar protesta e javëve të fundit, një mobilizim në të cilin sheshet shqiptare nuk kundërshtojnë vetëm rrokaqiejt e veçantë apo kërcënimin ndaj ekosistemeve të Lagunës së Nartës, por kërkojnë të drejtën demokratike për të marrë pjesë në vendimmarrjet që transformojnë vendin, në vend që t’i pranojnë ato në mënyrë pasive. Kjo revoltë i jep zë një pakënaqësie më të gjerë: megjithëse PBB-ja u rrit mes viteve 2013 dhe 2024 me 3,1% në vit falë ndërtimit dhe turizmit, pabarazitë janë rritur ndjeshëm që nga vitet 2010. Pasuria mbetet e përqendruar në duart e pak njerëzve, ndërsa popullsia përballet me paga mesatare të ngrira mes 700 dhe 800 eurosh dhe më shumë se një e pesta e punonjësve paguhen me një pagë minimale prej vetëm 390 eurosh. Kjo asimetri ekonomike, e shoqëruar me perceptimin e përhapur të korrupsionit dhe mangësitë në shëndetësi e drejtësi, e ka ulur besimin ndaj institucioneve publike në 11,6% (më pak se gjysma e mesatares së Ballkanit) dhe ka nxitur një eksod dramatik, që gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit ka çuar në largimin e 700 mijë personave, ndërsa 74% e të rinjve nën 30 vjeç deklarojnë se ende duan të emigrojnë. Përballë kësaj pakënaqësie të përhapur, Kryeministri priret ta shpjegojë çdo kritikë si rezultat të ndërhyrjeve të jashtme, shenjë e një klase politike gjithnjë e më të paaftë për t’u përballur me kontradiktat e veta.
Më 4 korrik, ditën e ditëlindjes së Edi Ramës, ndërsa arkitektë nga e gjithë bota kremtonin figurën e Kryeministrit, sheshet vazhdonin të mbusheshin me protestues që kërkonin dorëheqjen e tij. Në këtë mobilizim ka një paradoks të thellë: njeriu që sot kundërshtohet për modelin e tij politik është i njëjti që, në fillim të angazhimit të tij publik në vitet ’90, u shfaq si një artist avangardë, një intelektual antisistem dhe një ministër Kulture që premtonte demokratizimin e hapësirës kolektive kundër trashëgimisë së autoritarizmit. Pas tre dekadash, ai projekt i çlirimit urban duket se është shndërruar në të kundërtën e vet. Për këtë arsye, kjo revoltë nuk është thjesht politike. Është protesta spontane e një brezi të ri që ndihet i tradhtuar dhe është lodhur nga një qeveri që ka pushuar së menduari për mirëqenien e qytetarëve të saj. Një mobilizim i udhëhequr nga të rinj që duan të nisin nga e para dhe kërkojnë dorëheqjen e të gjithë klasës politike, duke dalë në shesh për të denoncuar korrupsionin sistemik, pushtetin e tepruar të oligarkëve dhe ndërhyrjen e investitorëve që vendosin fitimet e tyre private mbi interesat e kombit. Është refuzimi i vendosur për t’u shtypur nga tridhjetë vjet retorikë e hipërcentralizuar; zgjimi i një ndërgjegjeje kolektive që i kundërvihet heshtjes dhe nuk pranon më që vendi i saj të reduktohet në një mall shkëmbimi.
Kur mbërrij në fund të The Albanian Files, e gjej veten pezull në një gjendje të ndërmjetme, mes interesit për ndryshimin dhe shqetësimit për atë që Shqipëria rrezikon të bëhet. Shikoj këto faqe dhe pyes veten nëse vendi që lashë tridhjetë vjet më parë është ende ai që gjej sot; nëse më përket ende apo tashmë është bërë pronë e të tjerëve. Ndihet një ndjesi tjetër, pothuajse e dhimbshme, kur sheh transformimin e vendit tënd të origjinës dhe kupton, ditë pas dite, se je lënë plotësisht jashtë zhvillimit të tij. Është zhgënjimi i thellë i të qenit dëshmitar i një metamorfoze epokale që duket se nuk e parashikon praninë tonë. Megjithatë, brezat e rinj që kanë më shumë se një muaj që dalin në shesh tregojnë se Shqipëria po zgjohet më në fund. Është një energji e re, e vetëdijshme dhe e guximshme, që kërkon vendin e saj në të ardhmen. Pikërisht nga kjo ndërgjegje kolektive e rigjetur duhet të rifillojë Shqipëria. Këtu lind shpresa për të nisur sërish, së bashku, të vizatojmë qytetet tona. /Përshtatur nga “Rivista Studio”
Komplimenti Lajdi! Perfundimi i artikullit shpreh ndjesine e pergjithshme. Artikull i shkruar shume bukur dhe me takt. Pershendetje dhe urime babait!