Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, David Adler, i cili në një reagim në rrjetin X e cilëson dosjen si “shpërthyese”
Organizata ndërkombëtare, Progressive International ka paralajmëruar publikimin e dosjes “The Edi Rama Files“, një material voluminoz që përmbledh dokumente, vendime të institucioneve shqiptare dhe referenca nga hetimet e SPAK-ut, duke ngritur pretendime se projektet më të mëdha të zhvillimit në Shqipëri janë ndërtuar mbi një sistem lejesh, statusesh të investitorëve strategjikë dhe vendimesh të firmosura nga kryeministri Edi Rama.
Publikimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, David Adler, i cili në një reagim në rrjetin X e cilëson dosjen si “shpërthyese”, duke pretenduar se ajo e vendos kryeministrin shqiptar në qendër të një rrjeti të gjerë të pasurive të paluajtshme, që shtrihet nga bregdeti deri në zemër të Tiranës.
“Vetëm javën e kaluar isha në Tiranë për të mbështetur lëvizjen e protestës së Flamingove. Këto dosje tregojnë se projekti në Zvërnec është vetëm maja e ajsbergut. Ato zbulojnë një sistem të tërë lejesh, statusesh dhe shpronësimesh, i drejtuar nga një njeri i vetëm: Edi Rama”, shkruan Adler.
Sipas autorëve, dosja bazohet në vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), akte qeveritare, dokumente gjyqësore dhe materiale të hetimeve të SPAK-ut.
Dosja e Progressive International i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, ndërsa protestat e nisura për projektin e Zvërnecit i cilëson si një reagim qytetar ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit.
Statusi i David Adler:
Sot, @ProgIntl publikon “Dosjet Edi Rama” (Edi Rama Files) , një dosje shpërthyese që e vendos kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në krye të një perandorie të paligjshme të pasurive të paluajtshme, që shtrihet nga bregdeti i vendit deri në kryeqytet.
Vetëm javën e kaluar isha në Tiranë për të mbështetur lëvizjen e protestës së “Flamingove”: shqiptarët që janë ngritur kundër planit miliardë dollarësh të familjes Trump për privatizimin e ligatinave të tyre të mbrojtura.
Këto dosje tregojnë se ky projekt është vetëm maja e ajsbergut, një sistem i gjerë lejesh, statusesh dhe shpronësimesh, i drejtuar nga një njeri i vetëm: Edi Rama, i preferuari i Bashkimit Evropian.
Dosjet ofrojnë një pamje të detajuar hetimore mbi ekonominë politike të kleptokracisë në pragun e Evropës dhe është hera e parë që këto dokumente publikohen dhe i prezantohen një audience ndërkombëtare.
Prandaj, hidhuni një sy, shpërndajeni lajmin dhe qëndroni në krah të popullit shqiptar, i cili del në rrugë ditë pas dite për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj asaj që autori e përshkruan si grushti i heshtur, por vdekjeprurës, i Edi Ramës kundër vendit të tij.

Lini një Përgjigje