Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, e ka cilësuar antikushtetues vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit. Pas seancës së zhvilluar këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ai bëri të ditur se mbrojtja ka ankimuar të gjitha vendimet që lidhen me këtë çështje.
Sipas Ndrecës, një prej kërkesave është depozituar tashmë në Gjykatën e Lartë, ndërsa ai shprehu bindjen se kjo gjykatë duhet të vlerësojë përputhshmërinë e vendimeve me Kushtetutën dhe pasojat që ato mund të krijojnë si precedent. Ai shtoi gjithashtu se, sipas dijenisë së tij, edhe një gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Posaçëm e ka referuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi ankimuar të gjitha vendimet që ka marrë gjykata për pezullimin e afateve të paraburgimit. Sigurisht, është një procedurë krejtësisht antikushtetuese. Një ndër kërkesat tashmë e kemi në Gjykatë të Lartë. Besoj se Gjykata e Lartë duhet të vlerësojë bazuar në Kushtetutë pasojat e këtyre lloj vendimesh, që tashmë janë krijuar si precedent. Në dijeninë time është edhe një gjyqtar i gykatës së Apelit të Posaçëm që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht këtë proces, këtë precedent, dhe ne do të vijojmë kërkesat tona deri kur në Gjykatën Kushtetuese të marrim atë që na takon, siç kemi bërë në vijim, dhe siç ka rezultuar që kemi pasur të drejtë sa herë ne kemi ngritur pretendime që kanë lidhje me respektimin e standardit kushtetues”, tha Ndreca.
Lini një Përgjigje