
Pjesa e parë e ndeshjes mes Argjentinës dhe Egjiptit është mbyllur me avantazhin minimal 1-0 për "Faraonët", të cilët kanë surprizuar kampionët në fuqi të botës.
Egjipti kaloi në epërsi në minutën e 15-të. Pas një krosimi të saktë në zonë nga Marvan Atia, Jaser Ibrahim u shkëput mbi Lisandro Martinez dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë, duke zhbllokuar rezultatin.
Minutat e para të takimit ishin të vështira për Argjentinën, e cila nuk arriti të imponojë ritmin e saj përballë një Egjipti të organizuar mirë në mbrojtje.
Rasti më i mirë për barazim erdhi në minutën e 18-të, kur arbitri akordoi një penallti pas ndërhyrjes së Haisem Hasan ndaj Nikolas Taljafikos. Megjithatë, Lionel Mesi nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë, pasi goditja e tij nga pika e bardhë u ndal me një pritje spektakolare nga portieri Mostafa Shobeir.
Kësisoj, Mesi bëhet lojtari i parë në historinë e Botërorëve që humb dy penallti në të njëjtin edicion të turneut pa llogaritur gjuajtjet pas 120 minutave. Ai gaboi një penallti më parë në fazën e grupeve ndaj Austrisë dhe tashmë humbi një të tillë edhe ndaj Egjiptit.
Kjo ishte penaltia e katërt që Mesi humbet në Botëror, duke përmirësuar rekordin që kishte vendosur ndaj Austrisë.
Në minutën e 28-të, Aleksis Mek Alister kishte sshansin më të mirë për të barazuar shifrat, por goditja me kokë e tij u ndal në mënyrë fantastike nga Shobeir.
Në minutën e 31-të, Mesi ishte i pafat. Goditja e tij e dënimit nga distanca, u përplas në shtyllën e majtë.
Në minutën e 39-të, Shobeir bëri pritjen më të bukur të këtij Botërori, duke ndalur nga një distancë shumë e afërt, goditjen e Julian Alvarez. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Egjiptin.
Pavarësisht disavantazhit, Argjentina ka ende 45 minuta në dispozicion për të përmbysur rezultatin dhe për t’u kualifikuar në çerekfinale.
Lini një Përgjigje