Deklarata përfundimtare e Samitit të NATO-s nuk përmendi Shqipërinë si vend pritës në vitin 2027, por Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte sqaroi se vendimi për Tiranën mbetet në fuqi. Megjithatë, pas deklaratës së Donald Trump nga Ankaraja, mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan do të jetë i pranishëm.
Për disa orë, dukej se Shqipëria kishte humbur bastin më të madh diplomatik të viteve të fundit.
Deklarata përfundimtare e Samitit të NATO-s në Ankara nuk përmbante asnjë referencë për Tiranën si vendi pritës i samitit të ardhshëm të Aleancës. Një mungesë që i dha forcë raportimeve të javëve të fundit se organizimi i samitit në Shqipëri ishte vënë seriozisht në pikëpyetje.
Por në fund të samitit erdhi sqarimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
"Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri. Ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën", deklaroi Rutte në konferencën për shtyp.
Deklarata e tij i jep fund, të paktën për momentin, spekulimeve se Tiranës i ishte hequr e drejta për të pritur samitin. Megjithatë, ajo lë të hapur një element të rëndësishëm: data nuk është më e përcaktuar.
Deri pak muaj më parë, objektivi ishte viti 2027. Tashmë, sipas vetë kreut të NATO-s, mbetet për t'u vendosur se kur do të zhvillohet samiti në Shqipëri.
Kjo nuk është një çështje e vogël.
Raportimet e Reuters, Radio Evropa e Lirë dhe mediave të tjera ndërkombëtare kishin ngritur dyshime se mungesa e Shqipërisë në draftet e deklaratës lidhej me pakënaqësinë e disa aleatëve për nivelin e shpenzimeve shqiptare në mbrojtje, si edhe me diskutimet brenda NATO-s për të mos zhvilluar më samite çdo vit.
Pikërisht organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë është kthyer prej muajsh në një nga sukseset që Edi Rama ka promovuar më shumë në politikën e jashtme. Kryeministri ka deklaruar disa herë se në këtë samit do të merrte pjesë edhe Presidenti amerikan Donald Trump.
Por pikërisht këtu lind një tjetër pikëpyetje.
Vetëm një ditë më parë, nga Ankara, Trump la të kuptohej se nuk është aspak entuziast për samitet e NATO-s.
"Isha shumë i zhgënjyer me NATO-n dhe, sinqerisht, nëse samiti nuk do të ishte mbajtur në Turqi, ku miku im është një udhëheqës shumë i fortë, ndoshta nuk do të kisha marrë pjesë", deklaroi presidenti amerikan, duke ia atribuar praninë e tij në Ankara marrëdhënies personale me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan.
Deklarata u interpretua si një sinjal se pjesëmarrja e Trump në samitet e ardhshme të Aleancës nuk është aspak e garantuar.
Kjo do të thotë se, edhe pse Mark Rutte konfirmoi se samiti do të zhvillohet në Shqipëri, dy nga elementët mbi të cilët ishte ndërtuar narrativa e qeverisë shqiptare mbeten ende të paqarta: kur do të mbahet samiti dhe nëse Donald Trump do të jetë i pranishëm.
Për Edi Ramën, lajmi nga Ankara është një lehtësim, por jo një fitore e plotë. Samiti nuk duket se është hequr nga Tirana, por as nuk ka më garancinë që kishte një vit më parë. Dhe mbi të gjitha, vizita e shumëpërfolur e Donald Trump në Shqipëri mbetet ende një pikëpyetje. /Pamfleti
Rutte eshte blere me kohe e me vakt