KLSH zbulon pa fund shkelje, Xhafaj kërkon auditime "pa kapur në gabim" institucionet...
Në vend që të kërkojë llogari pse institucionet shtetërore nuk zbatojnë rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Fatmir Xhafaj zgjodhi t'i tregojë vetë institucionit kushtetues se si duhet të bëjë punën.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u shqyrtua raporti vjetor i KLSH-së, Xhafaj mbajti një fjalim të gjatë, ku në disa raste la të kuptohej se institucioni nuk duhet të fokusohet te evidentimi i shkeljeve, por te "ndihma" për administratën.
"Këtu nuk është çështja se si të kapim institucionet në gabime. Nuk duhet të jetë kjo filozofia e punës së auditimit. Por se si t'i ndihmojmë institucionet që ato të gabojnë sa më pak. Si t'i ndihmojmë institucionet, t'i parandalojmë, që të kenë sa më pak shkelje ligjore në administrimin e pasurisë publike", deklaroi Xhafaj.
Në një tjetër moment, ai vuri në diskutim edhe mënyrën se si duhet të matet puna e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
"Me çfarë do të duhet ta masim suksesin e Kontrollit të Lartë të Shtetit? Me numrin e auditimeve? Me numrin e rekomandimeve? Me vlerën e dëmit ekonomik të evidentuar, që shpesh herë nuk dihet se cili është dëmi i vërtetë? Apo me ndryshimin që auditimet kanë sjellë në mënyrën se si administrata publike menaxhon fondet e qytetarëve? Personalisht besoj se standardi themelor duhet të jetë ky i fundit", vijoi ai.
Madje, ai shtoi se qytetarët nuk janë të interesuar të mësojnë se sa shkelje konstatohen nga audituesit.
"Qytetari nuk pret vetëm dhe nuk është i interesuar të dijë se është konstatuar x problem apo sa auditime janë bërë, pret që ai problem të mos përsëritet", tha Xhafaj.
Por pikërisht këtu lind një kontrast i fortë me realitetin.
Ligji për Kontrollin e Lartë të Shtetit e përcakton qartë se institucioni auditon administrimin e fondeve publike, evidenton shkeljet, përgjegjësitë dhe dëmin ekonomik, si edhe jep rekomandime për korrigjimin e tyre. KLSH nuk është organ këshillimor i qeverisë, por institucioni më i lartë kushtetues i auditimit publik.
Në praktikë, problemi nuk ka qenë mungesa e rekomandimeve.
Për vite me radhë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje me vlera të konsiderueshme financiare dhe ka lëshuar mijëra rekomandime për ministri, agjenci dhe institucione publike.
Megjithatë, një pjesë e mirë e tyre kanë mbetur vetëm në letër.
Vetëm pak javë më parë, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Denar Biba, deklaroi në Kuvend se nuk e pranon auditimin e KLSH-së, duke sfiduar hapur kompetencat e institucionit kushtetues.
Në të njëjtën linjë ka vepruar edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila në disa raste ka kundërshtuar gjetjet dhe kompetencën e audituesve.
Po ashtu, në një sërë auditimesh, KLSH ka rekomanduar shkarkimin ose marrjen e masave disiplinore ndaj drejtuesve të institucioneve për shkelje të konstatuara gjatë auditimeve, por këto rekomandime janë refuzuar ose injoruar nga qeveria.
Pra, problemi nuk duket se qëndron te fakti se KLSH "kap në gabim" administratën, por te fakti se administrata dhe vetë qeveria shpesh zgjedhin të mos reagojnë ndaj gjetjeve të saj.
Vetë kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, iu përgjigj qasjes së Xhafajt duke mbrojtur rolin e institucionit.
"Qëllimi i punës institucionale nuk është ndëshkimi i një individi apo institucioni. Qëllimi është puna e KLSH për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të punës në institucionet në të cilat ne kryejmë veprime audituese", tha ai.
Por ai kundërshtoi edhe idenë që suksesi i institucionit të matet me nivelin e zbatimit të rekomandimeve.
"Puna e institucionit nuk mund të matet mbi bazën se sa zbatohen këto rekomandime, por sa objektive janë dhe të qenësishme janë këto rekomandime", deklaroi Shehu.
Debati nxjerr në pah një paradoks: ndërsa kreu i komisionit parlamentar kërkon që KLSH të ndryshojë filozofinë e auditimit, sfida më e madhe mbetet moszbatimi i rekomandimeve nga vetë institucionet shtetërore dhe mungesa e vullnetit për të marrë masa ndaj shkeljeve të konstatuara. /Pamfleti
Po pse mo z. Xhafaj, faji i KLSH është që ti e ke mbushur Administratën me patronazhistë të pa aftë dhe me diploma fallso që s'janë të zotë të lexojnë dhe të interpretojnë ligjin para se të firmosin kuturu nga padituria duke i paguar me taksat e popullit dhe duke fryrë administratën vetëm e vetëm që të të sigurojnë votat që ti të ngrohësh të ndenjurat në kolltukun haram të parlamentit për 4 vitet pasardhëse!...turp.