Me thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës, largimin e Sali Berishës dhe ndryshim rrënjësor të sistemit politik, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke deklaruar se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, protestuesit e ditës së 39-të të tubimit kundër qeverisë kanë nisur marshimin në akset kryesore të Tiranës, ndërsa në përfundim pritet të rikthehen në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku do të mbyllin protestën.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët marshojnë duke brohoritur "Rama ik", "Rama burg", "Berisha në burg", "Revolucion", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëria është e shqiptarëve, jo e pushtetarëve", "Populli kërkon dinjitet, drejtësi" dhe "Këtu deri në dorëzimin e Ramës".
Edhe këtë mbrëmje, protestuesit ritheksuan kërkesat që i cilësojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, favorizojnë interesat klienteliste.
Në podium morën fjalën qytetarë të moshave të ndryshme- burra, gra, të moshuar, të rinj dhe fëmijë, të cilët ndanë shqetësimet e tyre dhe kërkuan ndryshim rrënjësor të sistemit politik.
Ndryshe nga protestat tradicionale, pjesëmarrësit në këtë tubim nuk kërkojnë vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha e të gjithë klasës së vjetër politike. Sipas protestuesve, Shqipërisë i nevojitet një model i ri qeverisjeje dhe një shkëputje përfundimtare nga politika që, sipas tyre, ka dominuar vendin prej dekadash.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje