Pas ndalimit në Qafë Thanë të tre zyrtarëve të lartë nga Maqedonia e Veriut, VLEN kërkon sqarime zyrtare: Kush e dha urdhrin dhe mbi ç'bazë ligjore u ndaluan?
Ndalimi në kufirin shqiptar i tre zyrtarëve të lartë të koalicionit shqiptar VLEN ka kaluar tashmë nga një incident kufitar në një çështje politike mes Tiranës dhe Shkupit.
Pas ndalimit për rreth një orë në pikën kufitare të Qafë Thanës të koordinatorit të Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputetit Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, vetë VLEN ka dalë me një reagim zyrtar, duke kërkuar llogari nga autoritetet shqiptare.
Në deklaratën e saj, VLEN shprehet se tre zyrtarët udhëtonin me pasaporta diplomatike dhe se u mbajtën për rreth një orë pa marrë asnjë shpjegim zyrtar.
Sipas partisë shqiptare, policia kufitare u ka komunikuar vetëm në mënyrë jozyrtare se ndaj tyre ekzistonte një ndalim hyrjeje në territorin shqiptar, por pa u paraqitur asnjë vendim, dokument apo bazë ligjore.
"Ndalimi pa shpjegim i tre zyrtarëve tanë kërkon përgjigje zyrtare! Sot, në pikën kufitare Qafë Thanë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike. Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur", thuhet në deklaratë.
Partia shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut paralajmëron se raste të tilla dëmtojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
"VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë. Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime", thekson VLEN.
Reagimi vjen vetëm pak orë pasi televizioni TV21 raportoi se ndalimi i tre zyrtarëve lidhej me dyshimet se ata kishin mbështetur ose ishin përfshirë në organizimin e protestave qytetare në Tiranë.
Ngjarja pason edhe vendimin e autoriteteve shqiptare për ta shpallur "person të padëshiruar" aktivisten nga Kosova Ikballe Huduti, duke shtuar debatet për mënyrën se si po trajtohen personat që kanë shprehur mbështetje për protestën qytetare kundër qeverisë shqiptare.
Mir ua ka bërë,që të tre janë antishqiptar që punojnë për për mickovskin kundra interesave elementare të shqiptarëve.Bravo ,Shqipëria njëherë e bëri….