TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Korrik 2026, 17:00

Bardhi në Parlamentin Europian: Kuvendi shqiptar është kthyer në noter të qeverisë

Shkruar nga Pamfleti
Bardhi në Parlamentin Europian: Kuvendi shqiptar është kthyer
Bardhi në PE

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se ka shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një institucion që vetëm miraton vendimet e qeverisë, duke humbur funksionin kushtetues të kontrollit dhe mbikëqyrjes.

Gjatë takimit të përbashkët BE–Shqipëri në Parlamentin Europian, Bardhi tha se mënyra si funksionon Kuvendi shqiptar nuk është në përputhje me standardet europiane.

"Fatkeqësisht, në Shqipëri ky raport është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t'u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë. Vetëm pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë dha demonstrimin më të qartë të këtij përkeqësimi institucional, një zhvillim që nuk përputhet me standardet europiane të funksionimit të institucioneve demokratike", tha Bardhi.

Sipas tij, shumica parlamentare po pengon opozitën të ushtrojë të drejtat e saj kushtetuese, duke bllokuar nismat ligjore dhe instrumentet e kontrollit parlamentar.

"Sot Parlamenti shqiptar nuk e udhëheq procesin e integrimit europian, sepse nuk ushtron më funksionet kushtetuese për të cilat është zgjedhur: nuk merr nisma ligjvënëse, nuk siguron llogaridhënie të qeverisë dhe nuk ushtron kontroll e mbikëqyrje efektive. Por problemi është edhe më i thellë. Shumica parlamentare jo vetëm që e ka zhveshur Parlamentin nga këto funksione, por i mohon edhe opozitës të drejtën për t'i ushtruar ato", u shpreh ai.

Bardhi u ndal edhe te refuzimi i kërkesave të opozitës për interpelanca me kryeministrin Edi Rama.

"Gjatë këtij sesioni parlamentar, opozita ka kërkuar 11 interpelanca me Kryeministrin. Asnjëra nuk është zhvilluar, sepse Kryeministri refuzon të japë llogari për aktet që mbajnë firmën e tij. Zero në 11 interpelanca të kërkuara. Pa llogaridhënie parlamentare nuk mund të ketë as shtet të së drejtës, as institucione demokratike që funksionojnë sipas standardeve europiane, as integrim në Bashkimin Europian", deklaroi Bardhi.

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, është dobësuar edhe roli mbikëqyrës i Kuvendit në procesin e integrimit europian.

"Komisioni për Integrimin Europian u bashkua me Komisionin e Politikës së Jashtme dhe drejtimi iu rikthye shumicës. Kështu u zhduk i vetmi mekanizëm institucional që garantonte një mbikëqyrje të pavarur parlamentare mbi procesin e negociatave dhe përfshirjen e opozitës. E njëjta logjikë është ndjekur edhe ndaj instrumenteve të tjera të kontrollit. Pesë kërkesa të opozitës për komisione hetimore parlamentare janë refuzuar të gjitha", tha Bardhi.

Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se integrimi europian nuk matet vetëm me hapjen e kapitujve të negociatave, por edhe me funksionimin real të institucioneve demokratike.

"Një Parlament që nuk merr nisma, nuk kontrollon qeverinë dhe nuk ushtron mbikëqyrje, ai nuk kryen funksionin për të cilin është zgjedhur. Mund t'i vendosim shumë emra këtij institucioni: sekretariat i ekzekutivit, zyrë protokolli apo noter i qeverisë. Por nuk mund ta quajmë Parlament në kuptimin europian të fjalës", përfundoi Bardhi.

bardhi pe

Lini një Përgjigje