Teksa protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e 39-të, me qytetarët që pritet të mblidhen sërish para Kryeministrisë, ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale, ku e cilëson mobilizimin qytetar si një zhvillim të vonuar, por të domosdoshëm.
Sipas tij, për më shumë se tre dekada protestat në Shqipëri janë monopolizuar nga partitë politike dhe jo nga vetë qytetarët.
"Protesta është një e drejtë qytetare që, për fat të keq, në Shqipëri prej 36 vitesh është 'privatizuar' vetëm si aset i partive politike, falë patronazhistëve dhe militantëve që nuk dalin kurrë në protestë po nuk i thirri partia, por edhe për faj të vetë shoqërisë që nuk ka reaguar kurrë në 36 vite për hallet, problemet dhe interesat e veta", shkruan Murrizi.
Ish-deputeti thotë se protesta aktuale tregon se qytetarët më në fund po reagojnë për problemet që i prekin drejtpërdrejt.
"Shyqyr që u zgjua nervi qytetar, se kur shihja që 'protestonin' për Luizin në Big Brother dhe heshtnin për bordin e çmimeve, për naftën, për taksat e për çmimet, të shkonte në mendje se jetonim në luks", u shpreh Murrizi.
Ndërkohë, edhe mbrëmjen e sotme qytetarët kanë paralajmëruar se do të mblidhen sërish para godinës së Kryeministrisë, në vijim të protestës që ka hyrë në ditën e 39-të. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa protesta po vijon çdo mbrëmje në qendër të Tiranës.
Lini një Përgjigje