Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka komentuar zhvillimet ndërkombëtare gjatë samitit të NATO-s në Ankara, i cili ka folur për Donald Trumpin, luftën në Ukrainë dhe rolin që, sipas tij, duhet të ketë Kroacia brenda Aleancës.
Duke iu referuar presidentit amerikan Donald Trump, Milanoviç u shpreh se ai është treguar më i drejtpërdrejtë se liderët e tjerë në mënyrën se si përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara.
“Në këtë format, Donald Trump ishte më i ndershmi. Ai vjen këtu si një tregtar armësh plotësisht i vendosur dhe në këtë kuptim përfaqëson interesa. Ai flet me respekt për Putinin dhe Xi-në, dhe ata për të. Udhëheqës të tjerë flasin me një retorikë tjetër”, tha presidenti kroat.
Milanoviç theksoi se Kroacia do të vijojë të respektojë angazhimet e saj në NATO, por vendimet do t'i marrë duke pasur në fokus interesin kombëtar.
“Kroacia ka paguar shumë fatura të të tjerëve gjatë historisë dhe ndonjëherë ka bërë llogaritje të gabuara për veten. Tani duhet të përfitojmë nga pozicioni që kemi, sepse pozicioni i Kroacisë është i mirë”, u shpreh ai.
Presidenti kroat njoftoi gjithashtu se, Zagrebi nuk është pjesë e të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, duke theksuar se një prani ushtarake perëndimore në Ukrainë do të ishte tepër e rrezikshme.
“Prania perëndimore në Ukrainë është shumë e rrezikshme dhe e pasigurt. Kjo është arsyeja pse nuk mund të jemi aty”, deklaroi presidenti kroat.
Milanoviç u ndal edhe te sfidat e reja të sigurisë, teksa tha se NATO duhet të përgatitet për kërcënimet teknologjike, përfshirë raketat hipersonike dhe sistemet moderne të armatimit. Sipas tij, prioritet mbetet mbrojtja e interesave dhe sigurisë së Kroacisë brenda Aleancës.
Lini një Përgjigje