TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Korrik 2026, 17:43

Zgjerohen hetimet ndaj ish-shefit të arbitrave në Serinë A, në qendër të dyshimeve të Xhanluka Rokit edhe një tjetër ndeshje e Interit

Shkruar nga Pamfleti
Zgjerohen hetimet ndaj ish-shefit të arbitrave në Serinë A,
Ish-shefi i arbitrave në Serinë A, Xhanluka Roki

Sipas raportimeve të së përditshmes italiane “Corriere della Sera”, problemet në botën e arbitrimit në Itali vijojnë të thellohen. Pozicioni i ish-drejtuesit të arbitrave, Xhanluka Roki, është komplikuar më tej, pasi Prokuroria e ka thirrur sërish për t’u marrë në pyetje lidhur me një çështje të re, të ndryshme nga ajo e hetimeve të nisura më 24 prill.

Hetimet janë zgjeruar dhe nuk kufizohen më vetëm te tre ndeshjet e sezonit të kaluar – Inter-Verona (3 maj 2025), Bolonja-Inter (20 prill 2025) dhe derbi i Kupës së Italisë mes Interit dhe Milanit (23 prill 2025). Në fokus të prokurorëve është vendosur edhe sfida Torino-Inter, e zhvilluar më 26 prill të këtij viti.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Roki caktoi arbitrin Mauricio Mariani për drejtimin e kësaj ndeshjeje vetëm pasi kishte marrë miratimin e drejtuesve të Interit, të cilët, sipas hetimeve, nuk e konsideronin Marianin një arbitër të padëshiruar.

Ndërkohë, edhe kuadri i akuzave ka ndryshuar ndjeshëm. Në vend të dyshimit fillestar për "pranimin me mashtrim të ndërhyrjeve me qëllim ndryshimin e zhvillimit të rregullt të garës", prokurorët tashmë po hetojnë veprën penale të mashtrimit sportiv.

Sipas akuzës, Roki dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me përfaqësues të Interit dhe në bazë të një marrëveshjeje paraprake me ta.

Gjithashtu, prokurorët pretendojnë se ky bashkëpunim është mbështetur edhe nga marrëdhënie preferenciale në nivelet më të larta të futbollit italian. Sipas tyre, drejtues të Interit kanë përfituar nga lidhjet e privilegjuara me Gabriele Gravinën, ish-presidentin e Federatës Italiane të Futbollit.

 

xhanluka roki ish-shefi i arbitrave në serinë a inter

Lini një Përgjigje