
Prokuroria Publike e Milanos ka nisur një hetim ndaj Xhanluka Rokit, i cili dyshohet për mashtrim sportiv në lidhje me emërimin e arbitrave në ndeshje të rëndësishme të futbollit italian. Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga agjencia “Agi”, ndaj tij rëndojnë tre akuza kryesore.
Akuza e parë: Emërimi i arbitrave të favorizuar
Sipas hetuesve, Roki, në cilësinë e përgjegjësit për përzgjedhjen e arbitrave të AIA-s, dyshohet se ka ndikuar në emërimin e Andrea Kolombos si arbitër për ndeshjen Bolonja-Inter, e zhvilluar më 20 prill 2025.
Prokuroria pretendon se ky emërim është bërë në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar Interin, i cili në atë periudhë ishte në garë për titullin kampion.
Akuza e dytë: Manipulim në Kupën e Italisë
Hetimet zgjerohen edhe në ndeshjet e Kupës së Italisë. Sipas prokurorisë, Roki dyshohet se ka “fshehur” ose manipuluar emërimin e arbitrit Daniele Doveri gjatë një ndeshjeje të zhvilluar më 02 prill 2025.
Qëllimi, sipas akuzës, ishte që Doveri të mos ishte i disponueshëm për ndeshje të tjera më të rëndësishme për Interin, përfshirë finalen e mundshme të Kupës dhe sfidat vendimtare të Serisë A.
Akuza e tretë: Ndikim në sistemin VAR
Rasti i tretë lidhet me ndeshjen Udineze-Parma, e luajtur më 01 mars 2025.
Prokuroria pretendon se Roki, në rolin e mbikëqyrësit të VAR-it, ka ndikuar tek arbitri i VAR-it, Daniele Paterna, për të kërkuar rishikim në fushë (on-field review). Kjo ndërhyrje, sipas hetuesve, kishte si synim dhënien e një penalltie për Udinezen, pavarësisht se Paterna kishte një vlerësim fillestar ndryshe.
Lini një Përgjigje