
Në Kampionatin Evropian të Mundjes, që po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë, sportistët shqiptarë po regjistrojnë rezultate pozitive, duke mbajtur lart flamurin kuqezi.
Islam Dudaev ka siguruar tashmë një medalje të argjendtë dhe sot do të synojë të fitojë të artën. Ai do të përballet në finale me mundësin rus Bashir Magomedov, në një duel që pritet të jetë vendimtar për titullin.
Ndërkohë, një tjetër përfaqësues i Shqipërisë, Zelimkhan Abakarov, ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e stilit të lirë për peshën deri në 61 kilogramë. Ai do të ndeshet pas orës 16:45 me azerbajxhanasin Nuradin Novruzov, në përpjekje për të siguruar një vend në finale dhe një medalje për Shqipërinë.
Abakarov ka kaluar me sukses dy përballjet e para. Në raundin kualifikues ai mposhti bindshëm italianin Simone Pirodu me rezultatin 12-2, ndërsa në çerekfinale fitoi 6-2 ndaj gjermanit Niklas Steshele, duke dominuar ndeshjen.
Nga ana tjetër, jo të gjithë sportistët shqiptarë patën të njëjtin fat. Në peshën 86 kilogramë, Mate Kola u eliminua që në ndeshjen e parë pasi u mund me “vfo” nga rusi Ibragim Kadiev. Po ashtu, në kategorinë 92 kilogramë, Albin Peposhi u mund me rezultatin 10-0 nga kosovari Shaqir Bislimi.
Lini një Përgjigje