Mbrëmja e protestës në Tiranë u shoqërua edhe me një incident pranë Komisariatit Nr. 3, për të cilin organizatorët dhe pjesëmarrësit e tubimit deklarojnë se nuk mbajnë përgjegjësi.
Në një reagim publik, ata sqarojnë se autorë të veprimeve të dhunshme kanë qenë katër persona që, sipas tyre, nuk ishin pjesë e protestës, por ishin infiltruar për të provokuar situatën. Organizatorët pretendojnë se qëllimi ishte të dëmtohej imazhi i tubimit.
Sipas deklaratës, qytetarët e pranishëm reaguan menjëherë kundër çdo akti dhune, duke brohoritur "Jo dhunës!" dhe duke izoluar personat që krijuan tensione. Ata i kërkojnë Policisë së Shtetit të identifikojë sa më shpejt autorët e incidentit dhe të sqarojë rrethanat e ngjarjes.
Në reagim thuhet gjithashtu se episodi i mbrëmjes së djeshme ngjan me ngjarje të mëparshme, të cilat organizatorët i konsiderojnë përpjekje për të devijuar vëmendjen nga protesta. Ata theksojnë se marshimet do të vazhdojnë dhe se synimi i tyre mbetet i pandryshuar.
Organizatorët e cilësojnë tubimin si një nga protestat me pjesëmarrjen më të lartë të zhvilluara në vend, ku u përdorën edhe elemente simbolike, si torta e betonit, një arkivol politik dhe veshje që simbolizonin burgun.
Në përfundim të reagimit, protestuesit deklarojnë se një incident i izoluar nuk përfaqëson qëndrimin e mijëra pjesëmarrësve. Ata shprehen se pakënaqësia ndaj qeverisë është rritur gjatë viteve të fundit dhe e lidhin këtë me akuzat për korrupsion, ndërsa kërkojnë largimin e kryeministrit.
Lini një Përgjigje