
Bajerni i Mynihut ka marrë një fitore dramatike në transfertë ndaj Maincit, në kuadër të javës së 31-të të Bundesligës, duke përmbysur rezultatin nga 3-0 në 3-4.
Vendasit dominuan plotësisht pjesën e parë, duke shënuar tre gola me Kohr, Nebel dhe Beker, dhe duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm para pushimit të ndeshjes. Megjithatë, në pjesën e dytë, Bajerni reagoi fuqishëm, duke realizuar katër herë dhe duke përmbysur rezultatin me golat e Nikolas Xhekson, Majkëll Olize, Jamal Musiala dhe Herri Kejn.
Bajerni vazhdon të konfirmojë formën e shkëlqyer, duke thyer rekorde të ndryshme gjatë këtij sezoni në Bundesligë.
Kjo fitore vjen në një moment të rëndësishëm për bavarezët, të cilët pritet të përballen me PSG-në në gjysmëfinalen e parë të Champions League, të martën në Paris. Ndërkohë, Mainci mbetet në vendin e 10-të me 34 pikë.
Në ndeshjet e tjera, Bajer Leverkusen fitoi 1-2 në transfertë ndaj Këlnit, falë dy golave të Patrik Shik, duke u ngjitur në vendin e pestë dhe duke mbetur në garë për një vend në Champions League. Volfsburgu barazoi pa gola ndaj Borusia Mëshengladbah dhe rrezikon rënien nga kategoria. Augsburgu dhe Frankfurti ndanë pikët në barazimin 1-1, ndërsa Heidenhejmi triumfoi 2-0 ndaj St. Pauli.
Lini një Përgjigje