TAGS-AT E JAVËS

Editorial 2 Korrik 2026, 12:02

Diplomacia e dhëndurrëve

Shkruar nga Gjergj Zefi
Diplomacia e dhëndurrëve
Jared Kushner and Steve Witkoff /

Kur politika e jashtme kthehet në biznes familjar, marrëveshjet nuk prodhojnë paqe, por pazare afatshkurtra...

Kur negociatat për Iranin nuk i udhëheqin më diplomatët, por njerëzit e rrethit familjar dhe biznesmenët e pasurive të paluajtshme, atëherë problemi nuk është më vetëm Teherani. Problemi është Uashingtoni.

Dikur, diplomacia amerikane shitej si art i ftohtë shtetëror: interesa, aleanca, ekuilibra, presion dhe kompromis. Sot, në epokën Trump, ajo duket më shumë si një pazar ku vendet, konfliktet dhe marrëveshjet trajtohen si parcela ndërtimi.

Bisedimet me Iranin po ekspozojnë pikërisht këtë degradim.

Në vend të diplomatëve profesionistë, që njohin historinë, gjuhën e krizës dhe peshën e fjalës shtetërore, në skenë dalin dhëndurë, miq familjeje, investitorë dhe emisarë me dosje biznesi në Lindjen e Mesme.

Jared Kushner është simboli më i qartë i kësaj diplomacie të re: jo diplomaci karriere, por diplomaci krushqie. Jo shkollë shteti, por akses te vjehrri. Jo neutralitet institucional, por interesa të ndërthurura me fonde sovrane, teknologji, të lidhura ngushtë me Izraelin, Gjirin Persik dhe ambicie private.

Në krah të tij, Steve Witkoff përfaqëson të njëjtën filozofi: nëse di të negociosh një kullë luksoze, pse të mos negociosh edhe programin bërthamor iranian? Kjo është tragjikomedia e momentit amerikan. Një superfuqi që dikur projektonte rend botëror, sot eksporton modelin e developer-it: tokë, para, marrëveshje, fotografi dhe fitime marramendëse.

Problemi nuk është se biznesmenët nuk dinë të flasin. Problemi është se diplomacia nuk është biznes. Në diplomaci, çmimi i gabimit nuk është një projekt i falimentuar, por një rajon i destabilizuar, aleatë të pasigurt dhe armiq që nuk besojnë më në fjalën amerikane.

Irani e kupton këtë. Shtetet e Gjirit e kuptojnë këtë. Izraeli e kupton këtë. Të gjithë e kuptojnë se në Uashington nuk po negociohet më vetëm me Amerikën, por edhe me rrethin e njerëzve që kanë akses te Presidenti. Dhe në diplomaci, aksesi shpesh vlen më shumë se argumenti.

Kjo është arsyeja pse “diplomacia e dhëndurrëve” është më e rrezikshme se sa duket. Ajo nuk e dobëson vetëm Departamentin e Shtetit. Ajo e kthen politikën e jashtme në pronë të familjes, në ankand ndikimi dhe në instrument për marrëveshje që mund të duken spektakolare në njoftime shtypi, por janë të brishta në terren.

Marrëveshje të tilla prodhojnë tituj, jo paqe. Prodhojnë ceremoni, jo stabilitet. Prodhojnë përfitues privatë, por edhe humbës publikë.

Në fund, kriza e negociatave me Iranin nuk është vetëm krizë bërthamore. Është krizë besueshmërie. Amerika po përpiqet të bindë botën se mbetet fuqia që garanton rendin ndërkombëtar, ndërsa vetë rendin e saj diplomatik e ka zëvendësuar me lidhje familjare, interesa financiare dhe emisarë të papërgatitur për peshën e historisë.

Dhe kur një perandori fillon të negociojë botën me logjikën e dhëndurrëve, rënia nuk vjen me zhurmë. Vjen me buzëqeshje, me kontrata dhe me një fotografi të kuruar në Shtëpinë e Bardhë./Pamfleti

diplomacia e dhëndurrëve gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial