Juliana Nura ka ndarë për publikun një nga rrëfimet më personale të jetës së saj në episodin e parë të dokumentarit “Eagle Queen”, ku për herë të parë flet hapur për rrugëtimin drejt mëmësisë përmes fertilizimit in vitro (IVF) dhe pritjen e binjakëve.
Në dokumentar, ajo shfaqet në momente tejet intime dhe emocionale, duke nisur nga çasti kur mëson për shtatzëninë, momenti i testit pozitiv, e deri te vizita e parë mjekësore ku dëgjon për herë të parë rrahjet e zemrës së binjakëve. Skenat e filmuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e tregojnë Julianën mes gëzimit, emocioneve dhe lotëve, teksa përjeton një periudhë që ajo e ka përshkruar si ëndrra e saj e fëmijërisë.
Një nga momentet më të ndjera të episodit është edhe reagimi i familjes së saj. Nëna e Julianës shfaqet e prekur nga lajmi, duke mos i fshehur emocionet para kamerave. Ajo thekson se lumturia e vajzës së saj është edhe lumturia e saj dhe se ardhja e binjakëve është një bekim i madh për familjen.
“Jam shumë e lumtur si nënë dhe si gjyshe. Kur Xhuli është e lumtur, edhe unë jam e lumtur. Unë jam vetë nënë dhe tashmë po bëhem gjyshe e 12 nipave dhe mbesave, dhe ky është një bekim i madh”, u shpreh ajo.
Dokumentari “Eagle Queen” synon të sjellë jo vetëm jetën publike të Juliana Nurës, por edhe anën e saj më personale, duke ndarë me publikun emocionet, sfidat dhe momentet më të ndjeshme të kësaj periudhe të rëndësishme të jetës së saj.
Lini një Përgjigje