Mimoza Ahmeti, ka ngjallur debat me deklaratat e saj mbi terapinë hormonale për të miturit.
E ftuar në emisionin “Quo Vadis”, Ahmeti kritikoi ashpër prioritetet e sistemit, duke u shprehur se nuk është e pranueshme të promovohet terapia hormonale për fëmijët mbi 13 vjeç, ndërkohë që, sipas saj, shumë prej tyre nuk kanë ende të garantuara nevojat më bazike.
“Sepse të sigurosh hormone për një fëmijë 13-14 vjeç në një kohë kur nuk ke siguruar bukë, ushqim dhe veshje të klasit normal për të gjithë shoqërinë fëmijërore, atëherë ose je budalla, ose je komercializuar në atë pikë që shikon vetëm qëllimet e tua komerciale dhe na i ofron këto gjëra si të drejta të njeriut”, u shpreh Ahmeti.
Gjatë intervistës, ajo ndaloi edhe te roli i familjes në shoqëri, duke theksuar se familja mbetet institucioni më i rëndësishëm, sidomos në kohë krizash.
“A është mirë ta kalosh shkollën e familjes? Është një mrekulli. Ra pandemia, bëhen luftëra… çfarë i mbetet shoqërisë? Familja bëhet mbrojtje. Sistemi ende nuk ka gjetur një alternativë tjetër”, tha ajo.
Sipas Ahmetit, politikat që lidhen me terapinë hormonale nuk adresojnë nevojat reale të njerëzve, por i shërbejnë interesave të sistemit dhe komercializimit.
“Këto opsione që po na ofrohen me hormonet janë mënyra se si sistemi riprodhon veten me komoditetet e tij. Nuk janë zgjidhje që i vijnë në ndihmë njerëzimit për nevojat e tij të vërteta, si familja apo fëmijët, por u shërbejnë qëllimeve të tjera”, deklaroi poetja.
Lini një Përgjigje