Një prej qytetarëve që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë u bëri thirrje shqiptarëve të mos e shesin votën dhe të vazhdojnë protestat, duke artikuluar akuza të forta ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Në fjalën e tij, ai iu drejtua qytetarëve që, sipas pretendimit të tij, kanë pranuar favore në këmbim të votës, duke i pyetur nëse e kishin kuptuar pasojën e këtij veprimi.
"Komunizmin e kemi nëpër këmbë. Dua t’i drejtohem atij që mori thesin me miell në këmbim të votës. Dua ta pyes: e mbarove thesin e miellit, e kuptove se çfarë i ke bërë shqiptarëve? E sheh se të gjithë bashkëpunuan për të vjedhur tokat dhe falsifikuar pronat. Shqiptarët enden rrugëve për të marrë pronat. I bëj thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian dhe Ursula von der Leyen që neve shqiptarëve të na trajtojnë njëlloj si vendet e tyre. Protestoj edhe për doktorin dhe pacientin në Onkologjik që nuk ka para për ilaçet. Rama, nëse do të falë tokë, të japë atë të babait apo të gjyshit të tij në Vuno.", u shpreh ai.
Në fund të fjalës, protestuesi u bëri thirrje të pranishmëve të vijojnë mobilizimin dhe të mos heqin dorë nga protestat.
"Kam një thirrje: Zjarri duhet mbajtur ndezur. Ai pret momentin të na përçajë si me studentët. Mos i besoni. Deputetët blenë 500 euro vrimën e miut të arratiseshin me makina luksoze, ndërsa votën ia marrin fukarenjve. Mos e shisni votën.", deklaroi ai.
Lini një Përgjigje