Çfarë fshihet pas vizitës së delegacionit kurd në Tiranë?
Teksa vëmendja e politikës ndërkombëtare është përqendruar te Samiti i NATO-s, ku nesër mblidhen liderët e vendeve aleate, kryeministri Edi Rama zgjodhi një axhendë krejt ndryshe.
Në zyrën e tij priti zv/kryeministrin e Rajonit të Kurdistanit në Irak, Qubad Talabani, një vizitë që kaloi pothuajse në heshtje, por që ngre një pyetje të thjeshtë: çfarë interesi ka Shqipëria te Kurdistani?
Nuk bëhet fjalë për shtetin e Irakut, por për Rajonin Autonom të Kurdistanit, një territor në veri të vendit me qeverinë, parlamentin dhe administratën e tij, që kontrollon një pjesë të konsiderueshme të rezervave të naftës dhe prej vitesh kërkon të tërheqë investime e partnerë ndërkombëtarë.
Në njoftimin zyrtar të qeverisë kurde thuhet se me Ramën u diskutua bashkëpunimi në turizëm, tregti, investime dhe shkëmbim eksperience, ndërsa zv/kryeministri Talabani nuk kurseu elozhet për qeverinë shqiptare, duke vlerësuar reformat, infrastrukturën, turizmin dhe dixhitalizimin.
Por përtej deklaratave diplomatike, vizita mbetet e pazakontë. Shqipëria nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie të spikatur me Rajonin e Kurdistanit, nuk ka projekte të njohura ekonomike dhe as një histori bashkëpunimi që të justifikojë rëndësinë që iu dha kësaj vizite në Kryeministri. Pra me gjasë do të kemi ndonjë aferë në horizont.
Vite më parë është folur dhe për një zhvendosje të "muxhahedinëve kurdë", njësoj si me muxhahedinët iranianë e strehuar në Manëz, por nuk ka pasur zhvillime. Po ashtu, Rama takon kurdët një ditë para vizitës në Turqi ku do të mbahet Samiti i NATO, ndërkohë që dihen raportet e Erdoganit me ta.
Për momentin nuk dihen arsyet e kësaj vizite, e cila vjen në kohë tensionesh mes SHBA dhe Iranit. Madje SHBA përdori kurdët për të depërtuar në territorin iranian. Historikisht aferat e kësaj qeverie kanë dalë pas disa muajsh. Në shumë raste, Rama ka pritur delegacione pa dhënë detaje dhe muaj më pas plasnin skandalet.
Por një detaj, nuk i shpëtoi askujt.
Edi Rama prej vitesh është bërë i njohur në takimet zyrtare për një element që nuk e lë kurrë pas: atletet e bardha. Këtë herë duket se "protokolli Rama" është përqafuar edhe nga miqtë kurdë. Në foton zyrtare, pothuajse i gjithë delegacioni i Kurdistanit shfaqet me atlete të bardha, duke e bërë fotografinë të ngjajë më shumë me një kod veshjeje sesa me një rastësi.

Në mungesë të marrëveshjeve konkrete të shpallura publikisht, vizita ka lënë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Pse pikërisht tani? Dhe mbi të gjitha, a është kjo thjesht një vizitë kortezie apo fillimi i një raporti të ri ekonomik e politik mes Tiranës dhe Erbilit, rajon mjaft kompleks dhe me shumë interesa?
Për momentin, përgjigjja më e dukshme mbetet fotografia: Rama ka eksportuar në Kurdistan të paktën një gjë me sukses... atletet e bardha. /Pamfleti
Lini një Përgjigje