Protestuesit shpalosën mesazhe të ndryshme kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe llogaridhënie për çështje që, sipas tyre, prekin vendin.
Si në çdo protestë, pankartat dhe sloganet kanë spikatur edhe sot në protestën e 37-të të zhvilluar në Tiranë kundër qeverisë.

Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë, protestuesit mbajtën në duar pankarta me mesazhe të ndryshme, ku shpreheshin kritika ndaj qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishin ato me mbishkrimet "Rruga për në BE kalon nga llogaridhënia", "Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet! Populli nuk hesht!" dhe "Babëzia të verbon, tahmaja të rrëzon".


Në protestë u shfaqën edhe pankarta me mesazhe si "A jeni krenar?", "Babi iku në mergim, unë mbeta me mallin. Kush mban përgjegjësi?", si dhe thirrje për shfuqizimin e ligjit 21/2024, me sloganin "Natyra nuk është në shitje".


Po ashtu, disa pjesëmarrës mbanin pankarta në gjuhën angleze, ku kërkohej ndryshim i regjimit, mbrojtja e trashëgimisë kombëtare dhe më shumë dialog e përgjigje nga qeveria, në vend të asaj që protestuesit e cilësuan si mungesë llogaridhënieje.

Sipas protestuesve, pankartat pasqyronin shqetësimet e tyre lidhur me korrupsionin, qeverisjen, mbrojtjen e mjedisit, emigracionin dhe procesin e integrimit europian.


Lini një Përgjigje