
Në GJKKO, ekspertja e vlerësimit pranoi se komisioni u mbështet në një dokument të vitit 1997, ndërsa SPAK pretendon se shtetit iu shkaktua një dëm prej mbi 4.5 milionë euro.
Diferenca mes vlerës me të cilën u privatizuan godinat e ish-Kompleksit Partizani dhe asaj që rezulton nga ekspertiza e SPAK-ut ishte në qendër të seancës së radhës në Gjykatën e Posaçme.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Jamarbër Malltezi dhe personat e tjerë që u njohën pronarë të truallit të ish-Kompleksit Partizani blenë godinat ekzistuese për rreth 500 mijë euro, ndërkohë që ekspertiza e kryer gjatë hetimeve i vlerëson ato në afro 5 milionë euro, një diferencë që sipas akuzës përbën bazën e dëmit ekonomik të shkaktuar shtetit.
Në seancë dëshmoi Elvira Lame, një nga ekspertet që mori pjesë në komisionin e vlerësimit të godinave në vitin 2008. Gjatë pyetjeve të prokurores Enkeleda Millonai, ajo pranoi se për vlerën fillestare të objekteve komisioni iu referua një dokumenti të vitit 1997.
Prokurorja e pyeti nëse kishte dijeni se ekzistonte edhe një akt kontabël i vitit 2000 dhe nëse ishin marrë në konsideratë investimet e kryera pas vitit 1997.
"Këtë të vitit 1997 na e kanë vënë në dispozicion", u përgjigj Lame, duke shtuar se komunikimi bëhej me Degën e Shërbimeve.
E pyetur nëse ishin përfshirë investimet e kryera ndër vite, ekspertja deklaroi se komisioni kishte vlerësuar vetëm objektet shtetërore.
"Te Klubi i Futbollit është kërkuar vlerësimi vetëm i objektit shtetëror dhe jo i shtesave nga të tretët që ishin bërë pa leje. Kemi përcaktuar vlerën vetëm për pronën shtetërore", tha ajo.
Millonai e pyeti gjithashtu nëse vlerësimi ishte bërë sipas çmimeve të tregut.
"Nuk mund ta bënim vlerësimin sikur kishim apartamente. Nuk krahasohet një apartament me objektet që vlerësoheshin", u përgjigj ekspertja.
Sipas dosjes së SPAK, komisioni i vlerësimit në procedurën e privatizimit të Klubit Shumësportësh Partizani përcaktoi se vlera e ndërtesave ishte rreth 450 mijë euro me kursin aktual. Megjithatë, ekspertiza e urdhëruar gjatë hetimeve nga Prokuroria e Posaçme arriti në përfundimin se vlera reale e tyre ishte rreth 4 milionë euro.
Edhe për Klubin e Futbollit Partizani diferenca rezulton e konsiderueshme. Raporti i hartuar nga ekspertët Elvira Lame dhe Sali Preçi e vlerësonte kompleksin në rreth 100 mijë euro, ndërsa ekspertët e SPAK e çmuan atë në afro 1 milion euro, rreth dhjetë herë më shumë.
Për prokurorinë, këto diferenca kanë sjellë një dëm ekonomik prej mbi 436 milionë lekësh, ose rreth 4.5 milionë euro, në dëm të shtetit.
SPAK solli në vëmendje edhe marrëdhënien mes ekspertes Elvira Lame dhe Jamarbër Malltezit. Sipas dosjes hetimore, Lame rezulton njohje e Malltezit dhe më pas ka bashkëpunuar me kompaninë e tij "Homeplan".
Në dosje përmendet edhe një dokument i datës 3 dhjetor 2011, sipas të cilit Elvira Lame ka përgatitur një certifikatë vlerësimi për llogari të Malltezit për një truall prej 3 mijë metrash katrorë në fshatin Priskë, për një pagesë prej rreth 1,200 eurosh.
E pyetur nga SPAK për marrëdhënien me Malltezin, Lame deklaroi se e njihte prej vitesh, por se në kohën kur kreu vlerësimin e pronave nuk ishte në dijeni se ai përfitonte nga procesi.
Procesi gjyqësor për dosjen "Partizani" do të vijojë me dëshminë e dy personave që konsiderohen kyç nga organi i akuzës, ish-Presidentit Bamir Topi dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilët pritet të pyeten mbi procedurat që çuan në privatizimin e ish-Kompleksit Partizani.
Pjesë nga dëshmia
Prokurorja Enkeleda Millonai: Rezulton se keni qenë anëtare në komisionin e vlerësimit në dy procedura të privatizimit të Kompleksit Partizani dhe Klubit Shumësportësh Partizani?
Elvira Lame: Mënyra si jam zgjedhur dhe kush më ka propozuar nuk e di. Më ka ardhur njoftimi me postë.
Enkeleda Millonai: Eksperti tjetër cili ka qenë?
Elvira Lame: Unë dhe Sali Preçi, i ndjerë.
Enkeleda Millonai: Sipërfaqja e domosdoshme përcaktohet përmes genplanit. Keni marrë ndonjë genplan nga Ministria e Mbrojtjes?
Elvira Lame: Për secilën nga procedurat më janë vënë në dispozicion pasi jam përzgjedhur. Dokumentet na viheshin në dispozicion nga dega, emrin e së cilës nuk e mbaj mend.
Enkeleda Millonai: Referuar VKM-së së vitit 2007, me të cilën ishit ngarkuar për vlerësimin që do të kryenit, përcaktohej se vlerësimi bëhej me genplanin. Keni marrë ndonjë genplan?
Elvira Lame: Mbaj mend se më janë vënë në dispozicion genplanet pasi u caktova. Nuk më kujtohet kush i vendosi në dispozicion. Ne kishim komunikim me një degë që ndoshta quhej Dega e Privatizimit. Ka qenë dega e Tiranës. Kryetari apo specialistët na njoftonin se erdhi genplani apo akte të tjera.
Enkeleda Millonai: Nga Instituti Gjeografik i Ushtrisë keni marrë ndonjë hartë për Sport Klub Partizanin?
Elvira Lame: Hartën na e ka vënë në dispozicion kjo degë.
Enkeleda Millonai: VKM-të që kaluan pronën në Ministrinë e Mbrojtjes apo të Kulturës, i keni parë ndonjëherë?
Elvira Lame: Kur na janë vënë në dispozicion genplanet, i kemi parë në raport me vlerësimin. Nëse do ta shikoja edhe një herë raportin, do t'i shpjegoja.
Enkeleda Millonai: Sipërfaqja është përcaktuar 29 mijë m². Ju e keni nxjerrë rreth 26 mijë m². Mund ta shpjegoni diferencën?
Elvira Lame: Për sipërfaqen e truallit është shkruar se ka pasur konfirmim nga Bashkia e Tiranës, se sipërfaqja sipas kësaj shkrese ishte 26 524 m².
Enkeleda Millonai: Është përcaktuar në VKM se sipërfaqja përcaktohet nga komisioni?
Elvira Lame: Ne na është sjellë genplani. Nuk e kemi përcaktuar ne. Kemi bërë azhurnimin në terren. Janë bërë edhe diferencimet mes tyre. Në rastin konkret, KML-ja ka përgatitur edhe genplanin.
Nëse sipërfaqja do të ndryshonte, Bashkia ka bërë korrigjimet e veta. Nuk është se miratohet ashtu si dërgohet, nëse do të ketë ndryshim në sipërfaqe. Nëse do të kishte ndryshime në sipërfaqe, miratohej nga Bashkia.
Enkeleda Millonai: Për Klubin Shumësportësh Partizani, sipërfaqja e klubit që shtrihet në rrugën e Durrësit. Për sipërfaqen e përgjithshme, ju kujtohet? E keni përgatitur sipas VKM-së së vitit 2003, ku ishte e përcaktuar edhe sipërfaqja?
Elvira Lame: Ne e kemi përgatitur nga aktet që na vendoseshin në dispozicion.
Enkeleda Millonai: Për sa i përket Klubit Shumësportësh Partizani?
Elvira Lame: Kemi pasur konfirmim nga Bashkia e Tiranës për të dy sipërfaqet.
Enkeleda Millonai: Referuar dy raporteve të vlerësimit, pronat që u kthyen pronarëve e zinin gjithë territorin, apo kishte edhe sipërfaqe shtet dhe të pronarëve të tjerë?
Elvira Lame: Mbaj mend se informacionet merreshin nga ASHK dhe ATP për pronësinë. Për Sport Klub Partizanin kemi thënë se 866 m² ishin pronë shtetërore e regjistruar.
Për Klubin Shumësportësh ka pasur po ashtu sipërfaqe shtetërore.
Enkeleda Millonai: Ju vlerën fillestare e keni referuar sipas fillimvitit 1997. Kush jua ka dhënë referimin e vitit 1997? Ndërkohë ka pasur akt kontabël të vitit 2000. E dinit?
Elvira Lame: Këtë të vitit 1997 na e kanë vënë në dispozicion.
Enkeleda Millonai: Cilët?
Elvira Lame: Komunikimet i kishim me Degën e Shërbimeve.
Enkeleda Millonai: Ka pasur investime nga viti 1997 e në vijim dhe a i keni konsideruar?
Elvira Lame: Te Klubi i Futbollit është kërkuar vlerësimi vetëm i objektit shtetëror dhe jo i shtesave nga të tretët që janë bërë pa leje.
Kemi përcaktuar vlerën vetëm për pronën shtetërore. Ka pasur investime nga të tretët.
Enkeleda Millonai: A ka qenë vlerësimi sipas vlerës së tregut?
Elvira Lame: Unë kam shkuar te Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë ASHK-së. Nuk ka pasur objekte të ngjashme. Nuk krahasohet një apartament me objektet që vlerësoheshin.
Sali Preçi, është djalë teze i Sali Berishes
Germojini mire se keta kane lidhje edhe me ndertimet ne Golem. Blerjet e apartamenteve ne Golem kryheshin dikur te 'Pallati Sportit Partizani'. I kane rrenjet shume me thelle se sa mendohet.
e ka kapur okazion.