TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Korrik 2026, 18:12

IGJEO paralajmëron: Rrezik i lartë për zjarre sot dhe nesër, 3 qarqet problematikë!

Shkruar nga Pamfleti
IGJEO paralajmëron: Rrezik i lartë për zjarre sot dhe nesër,
Foto ilustruese

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar se rreziku për zjarret në pyje do të mbetet i lartë edhe gjatë ditës së sotme dhe të hënës, duke u bërë thirrje autoriteteve dhe qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

Sipas parashikimit të publikuar nga instituti, qarqet e Fierit, Lezhës dhe Durrësit janë zonat më të rrezikuara, ku niveli i rrezikut për përhapjen e zjarreve vlerësohet i lartë.

Ndërkohë, për qarqet Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër parashikohet një nivel i moderuar rreziku. Megjithatë, IGJEO thekson se në disa zona të këtyre qarqeve rreziku mund të jetë lokalisht i lartë, konkretisht në jug të Shkodrës, perëndim të Tiranës, perëndim të Elbasanit, perëndim të Beratit dhe veriperëndim të Vlorës.

Në qarqet Kukës, Dibër dhe Korçë niveli i rrezikut pritet të jetë i ulët.

Sa i përket kushteve meteorologjike, temperaturat maksimale të hënën pritet të arrijnë deri në 31°C në bregdet, 34°C në zonat e ulëta dhe 27°C në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, por në intervale të caktuara pritet të jetë e fortë në zonat malore dhe bregdetare, faktor që mund të favorizojë përhapjen e flakëve në rast të vatrave të zjarrit.

Paralajmërimi i IGJEO vjen në një kohë kur disa qarqe të vendit, veçanërisht Fieri dhe Lezha, janë përballur gjatë orëve të fundit me zjarre të përmasave të mëdha, të cilat kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe të helikopterëve të Forcave të Armatosura.

igjeo zjarret moti

Lini një Përgjigje