TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Korrik 2026, 17:45

"Kjo ishte arma ime"/ Pas lirimit, protestuesi ngjitet në kangjella dhe godet me vezë Komisariatin nr. 3

Shkruar nga Pamfleti
"Kjo ishte arma ime"/ Pas lirimit,  protestuesi ngjitet në
Protestuesi Niko Qarkaj

Niko Qarkaj, një nga protestuesit e arrestuar pas protestës së zhvilluar më 2 korrik para Kuvendit, është liruar ditën e sotme me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi ta lërë të lirë për mungesë provash.

Pas daljes nga ambientet e Komisariatit nr. 3, ku u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga dhjetëra mbështetës, i riu kreu një gjest simbolik që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. Ai u ngjit mbi kangjellat e hyrjes së komisariatit, nxori nga xhepi një vezë dhe, para se ta hidhte drejt oborrit të institucionit, deklaroi: "Kjo ishte arma ime."

Qarkaj u arrestua pas protestës së zhvilluar para Parlamentit, së bashku me disa protestues të tjerë, të cilët u akuzuan për prishje të qetësisë publike, shkatërrim prone dhe kundërshtim apo dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi lirimin e tij, duke vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të justifikuar vijimin e masës së sigurisë.

Gjatë qëndrimit në komisariat dhe në seancën gjyqësore, emri i Qarkajt u përmend edhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Sipas mbështetësve dhe familjarëve, ai është dhunuar gjatë ndalimit nga efektivët e policisë dhe ka pësuar disa kriza epilepsie. Një episod i tillë u regjistrua edhe gjatë seancës në Gjykatën e Tiranës, duke bërë që procesi të ndërpritej përkohësisht për t'i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Lirimi i Qarkajt vjen në kuadër të vendimeve të Gjykatës së Tiranës për protestuesit e arrestuar pas tubimit të 2 korrikut. Për pjesën më të madhe të tyre u caktuan masa më të lehta sigurie, ndërsa disa u lanë të lirë pa asnjë masë sigurie.

protesta

Lini një Përgjigje