Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka vlerësuar se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë u takon të gjithë liderëve politikë, duke theksuar se qytetarët duhet t’i ndëshkojnë ata nëse nuk arrijnë të gjejnë konsensus.
Joseph deklaroi se përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen e situatës e ka kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për shkak të shumicës që kontrollon në Kuvend, por shtoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi të.
“Absolutisht. Ata duhet ta bëjnë këtë. Dhe nëse nuk e bëjnë, unë do të them këtë: Nëse liderët politikë dhe përsëri, po flas në shumës, nuk po them vetëm që Kryeministri Kurti ka përgjegjësi. Ai ka përgjegjësinë kryesore sepse kontrollon shumicën e votave në parlament, dhe ky është një vendim parlamentar, por të gjithë ata mbajnë përgjegjësi. Dhe votuesit, do ta them këtë, votuesit duhet t’i ndëshkojnë të gjithë liderët politikë që nuk gjejnë një konsensus, sepse kjo po e dëmton vendin”, tha Joseph në një intervistë për Ekonomia Online.
Profesori amerikan foli edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar pezullimin e dialogut strategjik si zhvillim negativ dhe duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka humbur një mundësi të rëndësishme në raport me komunitetin serb.
“Po, ka dallime. Sigurisht, ishte shumë e keqe të shihje Shtetet e Bashkuara të pezullonin dialogun strategjik. Dhe kjo është një përforcim i mesazhit që dhashë, i cili është njohja e të gjithë qytetarëve në Kosovë, e të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb, dhe mënyra se si qeveria i trajton ata. Dhe qeveria ka një mundësi të jashtëzakonshme dhe ka pasur një mundësi që nuk e ka shfrytëzuar që t’i thotë komunitetit serb të Kosovës: Kryeqyteti juaj është në Prishtinë. Prishtina kujdeset për ju. Beogradi nuk kujdeset për ju. Dhe ata e kanë humbur këtë mundësi”, u shpreh Joseph.
Lini një Përgjigje