TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Korrik 2026, 08:01

Martinez largohet nga Portugalia pas eliminimit në Kupën e Botës 2026, zbulohet favoriti për ta zëvendësuar

Shkruar nga Pamfleti
Martinez largohet nga Portugalia pas eliminimit në Kupën e Botës
Roberto Martinez

Pas humbjes ndaj Spanjës në fazën e 1/8 së finales, Roberto Martinez konfirmoi largimin nga kombëtarja portugeze. Sipas të përditshmes portugeze A Bola, Jorge Jesus është kandidati kryesor për postin…

Trajneri Roberto Martinez ka konfirmuar se largohet nga drejtimi i kombëtares së Portugalisë pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në Arlington të Teksasit, rezultat që i dha fund rrugëtimit të skuadrës në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2026. Tekniku spanjoll, i cili mori drejtimin e Portugalisë në vitin 2023, deklaroi se misioni i tij përfundon me këtë turne, ndërsa kontrata e tij skadonte pas Kampionatit Botëror.

"Po, kjo ishte ndeshja ime e fundit me kombëtaren. Jam krenar për këtë rrugëtim. Drejtova ekipin në 45 ndeshje dhe u ndjeva i mirëpritur e i vlerësuar në Portugali. Kjo është një kujtim që do ta mbaj gjithmonë me vete", tha Martinez.

Ai e cilësoi periudhën në krye të Portugalisë si një nder dhe një përgjegjësi të madhe, duke shtuar se "ky është fundi i një cikli" dhe se kombëtarja ka nevojë për "një zë të ri".

Martinez falënderoi gjithashtu presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, dhe drejtuesit e federatës për mbështetjen e vazhdueshme gjatë mandatit të tij.

Sipas të përditshmes portugeze A Bola, kandidati kryesor për ta pasuar është Jorge Jesus. Federata Portugeze e Futbollit e konsideron trajnerin 71-vjeçar si zgjedhjen më të përshtatshme për të udhëhequr kombëtaren në ciklin e ardhshëm, me synimin për Kupën e Botës 2030, të cilën Portugalia do ta organizojë së bashku me Spanjën dhe Marokun.

Media portugeze shton se Jorge Jesus pritet të zhvillojë së shpejti një takim me presidentin Pedro Proença për të diskutuar kushtet e kontratës.

Sezonin e kaluar, Jorge Jesus drejtoi Al Nassr në Arabinë Saudite, ku punoi me Cristiano Ronaldon dhe Joao Felix.

 

portugali trajneri kupa e botes

Lini një Përgjigje