Protesta në Zvërnec zbuloi se kryeministri Edi Rama ka gënjyer familjen "Trump" për garancitë që u ka dhënë lidhur me rregullat, ligjshmërinë për pronësinë e tokës dhe procedurat për lejen e investimit në Zvërnec.
Nuk ka investitorë të huaj që guxojnë të bëjnë investime, sidomos miliona e miliarda euro, kur nuk kanë garanci nga qeveria dhe shteti ku duan të investojnë; garanci që, siç kuptohet, Edi Rama ua ka dhënë familjes "Trump", duke e mashtruar sikur ka zbatuar të gjitha procedurat ligjore.
Çiftin Ivanka Trump e Jared Kushner dhe bashkë-investitorët arabë, kryeministri Edi Rama i mashtroi duke i garantuar se toka e trafikantit Artur Shehu në Zvërnec ishte fituar me akt pronësie të ligjshme dhe është pa asnjë problem e konflikt palësh.
Por në momentin që Edi Rama u bëri ofertën për zbatimin e projektit në Zvërnec dhe u rekomandoi blerjen e tokës, ajo tokë ishte dhe është në proces gjyqësor dhe tashmë nën hetim nga SPAK, sepse pronari në letra, trafikanti Artur Shehu, e ka grabitur me dokumenta të falsifikuara.
Në momentin që kryeministri Edi Rama i dha lejen e Zhvillimit kompanisë së familjes "Trump", i gënjeu sikur qeveria kishte bërë konsultim publik me banorët e zonës dhe organizatat mjedisore dhe sikur kishte marrë pëlqimin e tyre.
Kryeministri Edi Rama mashtroi vajzën dhe dhëndrin e Donald Trump, sikur qeveria shqiptare kishte kryer studimin mjedisor të zonës, por protesta në Zvërnec zbuloi gënjeshtrën e tij – madje vetë Edi Rama e pranoi se nuk është bërë konsultim publik dhe nuk ka studim mjedisor.
Duke ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura, Edi Rama mashtroi çiftin Ivanka Trump e Jared Kushner, sikur zona dhe Laguna e Zvërnecit nuk është zonë e mbrojtur "Park Natyror" – habitat i flamingove, flore dhe faune të rrallë – dhe se nuk do të ketë asnjë problem me agjencitë Europiane.
Këto gënjeshtra dhe akrobaci prej aventurieri, kryeministri Edi Rama i shoqëroi me vendime të përshpejtuara për dhënien e lejes së zhvillimit, lejes për rrethimin e tokës së blerë nga trafikanti Artur Shehu, të cilën e ka grabitur me dokumenta të falsifikuara.
Përballë garancive që u dha Edi Rama, vajza dhe dhëndri i Donald Trump eksploruan dy herë Zvërnecin bashkë me arkitektët e tyre dhe me Edi Ramën; blenë tokën, darkuan në jahtin e tyre bashkë dhe ai filloi firmosjen e vendimeve për lejen e resortit.
Prandaj e rrethuan tokën me gardh, filluan të bënin gati të gjeshit e ndërtimit dhe kërkuan ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, në momentin kur banorët, pronarët e vërtetë të tokës dhe mjedisorët filluan protestën kundër ndërtimit të resortit.
Familja "Trump" dhe bashkë-investitorët e tyre, me letrat zyrtare në dorë, të zhvilluar prej tyre, nuk mund ta përfytyronin se ishin mashtruar nga kryeministri Edi Rama, i cili vepron sikur Shqipëria është "pashallëk" i tij.
Aventura e psiko-delirantit autokrat Edi Rama përfundoi me protestën që e detyroi të anulonte punimet për resortin e Zvërnecit dhe njollosjen ndërkombëtare që i bëri familjes "Trump".
Pa asnjë dyshim, ka qenë Edi Rama që, nëpërmjet lobistëve dhe sekserëve ndërkombëtarë, i ka ofruar Ivanka Trumpit e Jared Kushnerit zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit për investime, si e vetmja rrugë për të siguruar përfillje personale e politike nga presidenti Donald Trump./Pamfleti
Lini një Përgjigje