TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2026, 13:14

Kurdët misteriozë me atlete në zyrën e Edi Ramës

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Kurdët misteriozë me atlete në zyrën e Edi Ramës
Takimi i “atleteve të bardha” që mund të zemërojë Ankaranë /

Vizita e delegacionit të Kurdistanit iraken në Tiranë, në prag të Samitit të NATO-s në Ankara, ngre pikëpyetje mbi mesazhet politike që po dërgon Edi Rama dhe pasojat që kjo lëvizje mund të ketë në marrëdhëniet me Turqinë...

Një vizitë krejt e pazakontë dhe ende e paqartë u zhvillua dje në selinë e qeverisë shqiptare, ku një delegacion nga Erbili, kryeqendra e Rajonit Autonom të Kurdistanit në Irak, u prit nga Edi Rama dhe një numër i konsiderueshëm ministrash të kabinetit të tij.

Një vizitë që kryeministri shqiptar e paraqiti, siç e ka tashmë zakon, me një skenografi teatrale, ku të gjithë të ftuarit mbanin veshur atlete të bardha.

Por rëndësia e saj pritet të kuptohet më mirë pikërisht sot.

Në ditën kur Edi Rama merr pjesë në Samitin e NATO-s në Ankara.

Në këtë kontekst, pritja e delegacionit kurd mund të lexohet edhe si një provokim i heshtur ndaj ish-mikut të tij, Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

Një lider që, sipas shumë analizave, nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri.

Pritja e Qubad Talabanit, zëvendëskryeministrit të Rajonit të Kurdistanit, fillimisht nga Edi Rama dhe më pas nga dy prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit, përbën një zhvillim që ngre më shumë pyetje sesa përgjigje.

Qeveria shqiptare nuk ka sqaruar ende se çfarë përfaqëson konkretisht ky partneritet dhe cilat janë objektivat strategjikë të tij.

Rajoni i Kurdistanit iraken përfshin një nga zonat më të rëndësishme energjetike të Lindjes së Mesme, ku ndodhen rezerva të mëdha nafte dhe gazi natyror.

Kurdët e Irakut janë aleatë të afërt të Perëndimit, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Megjithatë, drejtuesit e Kurdistanit kanë ruajtur edhe marrëdhënie të mira me Turqinë, për të shmangur tensionet me Ankaranë, e cila vazhdon ta konsiderojë çështjen kurde si një problem të ndjeshëm të sigurisë kombëtare.

Investitorët më të rëndësishëm në Kurdistan janë pikërisht kompanitë turke.

Madje, vetëm pak para mbërritjes në Tiranë, Qubad Talabani zhvilloi një takim në Ankara me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë synon Shqipëria me këtë partneritet, i cili duket se po ndërtohet në mënyrë diskrete, por me ritëm të shpejtë.

Qubad Talabani është djali i ish-Presidentit të Irakut dhe liderit historik kurd, Jalal Talabani.

Ai konsiderohet si një politikan me marrëdhënie të mira si me Izraelin, ashtu edhe me Greqinë.

Vite më parë, qarqe politike turke dhe arabe kanë akuzuar drejtuesit kurdë se synonin krijimin e një “Izraeli të Madh” në rajon.

Një tezë që nuk u materializua kurrë.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Kurdistanit dhe Izraelit kanë mbetur të ngushta, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe teknologjisë.

Në faqen e tij zyrtare, Talabani ka bërë të ditur se vizita në Shqipëri synon forcimin e bashkëpunimit në dixhitalizimin e shërbimeve publike, duke marrë si model përvojën shqiptare, si dhe zgjerimin e investimeve në sektorin e turizmit.

Ai njoftoi gjithashtu hapjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes Sulejmanijes dhe Tiranës, për të nxitur udhëtimet turistike dhe ato të biznesit.

Sulejmanija është një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të Lindjes së Mesme, ku operojnë disa prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare të naftës dhe gazit, me ndikim të konsiderueshëm në politikën dhe gjeopolitikën e rajonit.

Pikërisht për këtë arsye, “takimi i atleteve të bardha” pritet të marrë një jehonë më të madhe në qarqet politike dhe mediatike të Turqisë.

Nuk përjashtohet që kjo lëvizje të interpretohet në Ankara si një sinjal politik nga Edi Rama.

Madje edhe si një përgjigje ndaj qëndrimeve që, sipas shumë vëzhguesve, Turqia ka mbajtur së fundmi ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.

Deri tani, mediat pranë Presidentit Erdoğan nuk kanë reaguar.

Po aq e paqartë mbetet edhe pyetja se kush e ka konceptuar këtë partneritet të ri me Rajonin e Kurdistanit.

Sepse bëhet fjalë për një marrëdhënie që mund të ketë pasoja gjeopolitike dhe që, në çdo demokraci funksionale, do të duhej të ishte objekt diskutimi institucional dhe parlamentar.

Jo rezultat i vendimmarrjes së një njeriu të vetëm.

Sepse aleancat strategjike nuk janë çështje personale.

Ato janë vendime shtetërore, që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë./Pamfleti

kurdët misteriozë me atlete në zyrën e edi ramës

Lini një Përgjigje