Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për Aleks Pepën, i njohur edhe si Shkëlqim Pepa, si dhe për Ilir Lazrin. Trupi gjykues rrëzoi ankimin e paraqitur nga të dyshuarit, duke konfirmuar vendimin e shkallës së parë.
Sipas dosjes hetimore, Aleks Pepa dhe vëllai i tij, Jetmir Pepa, dyshohen se kanë organizuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Hetimet përfshijnë edhe dyshime se në Shqipëri janë pastruar miliona euro përmes aktivitetesh të zhvilluara nga vëllai tjetër i tyre dhe persona të tjerë të përfshirë në skemë.
Po sipas hetimeve, kompania "Pepa Group", e regjistruar në emër të vëllezërve Pepa, rezulton të ketë përfituar edhe tendera publikë.
Grupi kriminal i Jetmir Pepës përbëhej nga vëllezërit, Jetmir Pepa, Aleks Pepa dhe Urim Pepa të cilët trafikuan në vitin e parë të pandemisë, në 11 muaj 7.5 ton kokainë.
Me vendim të GJKKO-së më 17 prill të këtij viti u shpallën në kërkim 11 persona pjesë e këtij grupi, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi, Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku alias Anton Tamure, Florjan Vuka alias Vathaj, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa, Anton Kola, Ilir Lazri.
Sipas hetimeve të SPAK është dokumentuar aktiviteti i grupit gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë evidentuar 8 episode të trafikut të kokainës në sasi të mëdha. Grupi kriminal akuohet se ka realizuar disa episode të trafikut të kokainës, kryesisht nga Amerika Latine drejt porteve europiane, veçanërisht në Roterdam dhe Amsterdam. Mes 5 të arrestuarve në Dubai edhe Merxhan Çeliku, pjesë e grupit të Amant Josifit.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 07.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 26 akti, datë 29.06.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve A.P (alias Sh.P) dhe I.L: “Ankim kundër vendimit nr. 41, datë 06.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: 1. Marrjen në pyetje të personave të arrestuar A.P (alias Sh.P) dhe I.L, të arrestuar në zbatim të vendimit Nr. 20, datë 14.04.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit.
2. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar me vendimin Nr. 20, datë 14.04.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj shtetasve nën hetim A.P (alias Sh.P) dhe I.L.”, si vijon: 1-Miratimin e disponimit nr. 20, datë 14.04.2026 dhe të disponimit nr. 41, datë 06.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin A. (alias Sh.) P. 2-Miratimin e disponimit nr. 20, datë 14.04.2026 dhe të disponimit nr. 41, datë 06.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin I.L.", thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Lini një Përgjigje