
Qytetarët u mblodhën edhe sot në sheshin "Skënderbej", në ditën e 38-të të protestës me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Si çdo mbrëmje, protestuesit u organizuan për të marshuar drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat për ndryshim politik.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe një pensionist, i cili shprehu pakënaqësinë e tij jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
"I bëj thirrje zotit Berisha të mos ndërhyjë këtu. Berisha po tall byhën me ne. Edhe ky tjetri më keq se ai. Ato 4 mln euro në vend të ia japin pensionistëve, por shkojnë i lënë në tallava. Tallin byhën. Shkon Rama të bëjë të bukur Kryeministrinë e tij. Sot duhet mbi 150 mijë euro të marrësh një hyrje. Këta nuk kanë bërë asnjë gjë për ne, as për popullin që po ha dhe", tha ai.
Gjatë protestës foli edhe një arsimtar, i cili deklaroi se ishte larguar nga puna për arsye politike, pasi nuk kishte siguruar votues nga diaspora për Partinë Socialiste.
"Qeverisemi nga një organizatë kriminale. Kjo është për të ulëritur, jo për të protestuar. Këtij është t'ia kapësh për fyti atë që na drejton. Ta nxjerrësh jashtë loje. Isha në plazh para pak ditësh, Lana po ashtu, e gjithë Shqipëria bie erë m*t", u shpreh ai për "News 24".
Qytetari vijoi me deklaratat e e tij lidhur me largimin nga detyra.
"Më larguan nga puna, o Osman, sepse më kërkuan pesë emra nga jashtë shtetit, votues për organizatën kriminale. Isha nëndrejtor shkolle. Më tha vajza në Angli: 'Çfarë më shkruajnë të ndihmoj me fushatën?', ndërkohë që unë numrin e saj nuk ia kisha dhënë askujt. I thashë: 'Janë debilat e PS për votat'. Më larguan nga puna pastaj", shtoi protestuesi.
Protestuesit pritet të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalime dhe më pas do të marshojnë në rrugët kryesore në Tiranë.
Lini një Përgjigje