Drita e ka nisur me një rezultat pozitiv aventurën në edicionin e ri të Champions League. Kampionia e Kosovës barazoi 1-1 në transfertë ndaj kampiones së Lituanisë, Kauno Zalgiris, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani u paraqit në fushë me formacionin: Faton Maloku, Redi Ovouka, Pëllumbi, Bytyçi, Besnik Krasniqi, Dabiqaj, Limaj, Sheji, Abazaj, Blerim Krasniqi dhe Jashari.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 24-t, kur pas një goditjeje nga këndi, Rokas Lekiatas asistoi me kokë për Amin Benshaib, i cili shënoi me një goditje të fuqishme me të djathtën. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 1-0 të Kauno Zalgiris.
Në fraksionin e dytë, Drita shtoi presionin dhe u shpërblye në minutën e 82-të. Redi Ovouka harkoi në zonë, ndërsa Blerim Krasniqi goditi saktë me kokë, duke mposhtur portierin vendas dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1.
Ky barazim i jep Dritës një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në stadiumin "Fadil Vokrri", ku kampionët e Kosovës do të synojnë kualifikimin në raundin e dytë.
Nëse arrin të eliminojë Kauno Zalgiris, Drita do të përballet në raundin e dytë kualifikues me fituesin e çiftit KI Klaksvik – FC Atert Bisen.
Ndërkohë, të mërkurën është radha e kampiones së Shqipërisë, Egnatia, e cila do të luajë në transfertë ndaj kampiones së Moldavisë, Petroçub, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Champions League.
Lini një Përgjigje