Pesë persona janë arrestuar në Francë në lidhje me grabitjen dhe sulmin ndaj katër herë ish-kampionit të Formula 1, Alain Prost.
Ngjarja ndodhi rreth një muaj më parë në banesën e Prost në Nion, Zvicër. Sipas autoriteteve, grupi i dyshuar përbëhej nga pesë të rinj, të moshës nga 16 deri në 22 vjeç. Dy prej tyre janë të mitur, ndërsa tre të tjerët janë lënë në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.
Të arrestuarit përballen me akuza për grabitje me dhunë, rrëmbim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Sipas hetimeve, gjatë sulmit Alain Prost u përball me autorët dhe pësoi lëndime në kokë. Grabitësit dyshohet se kërcënuan familjen e tij dhe e detyruan të hapte kasafortën, nga e cila morën sende me vlerë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në botën e Formula 1. Alain Prost, një nga pilotët më të suksesshëm në historinë e këtij sporti me katër tituj kampion bote, raportohet se po rikuperohet pas incidentit.
Lini një Përgjigje